Detaje të reja nga rrëzimi i helikopterit në Shkodër

Helikopteri i Ushtrisë shqiptare, EC­145, dyshohet se ka qenë duke fluturuar fare ulët në momentin kur është përplasur në sipërfaqen e ujit në liqenin e Shkodrës.

Lajme

13/04/2016 10:31

Aksidenti i datës 6 prill 2015 dyshohet se ka ndodhur pikërisht për shkak të fluturimit në nivel fare të ulët mbi liqen.

Mendohet se ka qenë një kthesë e fortë e menjëhershme apo një manovër e pilotëve që ka sjellë prekjen e helikave në sipërfaqen e ujit duke humbur ekuilibrin e mjetit fluturues. “Panorama” shkruan se grupi i hetimit ka marrë e ka dërguar për analiza mostra të karburantit dhe të vajit të përdorur nga helikopteri i Ushtrisë EC­145, i rrëzuar në Shkodër javën që kaloi.

Bashkë me disa pjesë të tjera të mjetit fluturues, mostrat në fjalë janë dërguar për ekspertim me qëllim përcaktimin e shkakut të rrëzimit të mjetit të Ushtrisë.

Vendimi për ekspertimin e vajit dhe karburantit është marrë nga grupi i hetimit i ngritur në Prokurorinë e Shkodrës dhe Tiranës. Këto dy grupe oficerësh e prokurorësh po kryejnë hetime në lidhje me aksidentin ajror ku gjetën vdekjen dy pilotët Floran Delia e Donald Hoxha. I plagosur mbeti edhe Gerald Baramuça, i cili është pyetur në Spitalin Ushtarak, por ka thënë se nuk i kujtohet asgjë nga dita e aksidentit.