Dëshmitari: Pasi na rrahën Vukotiq e Paunoviq, dëgjuam se ishin vrarë katër fqinjit tanë

Dëshmitari Bejtë Osmani, ka deklaruar se pasi ishin rrahur ai dhe disa familjarë të nga dy persona të uniformuar, që sipas tij, kanë qenë Guroljub Paunoviq dhe Zoran Vukotiq, kishin dëgjuar edhe për vrasjen e katër fqinjëve të tij, Hamdi, Fahredin e Avdullah Falziu si dhe Enver Rrustolli.

Lajme

13/02/2018 17:08

Osmani, të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin për krime lufte ndaj popullatës civile, në vitin 1999, ku i akuzuar është Zoran Vukotiq.

Dëshmitari ka thënë se më 5 maj të vitit 1999, ai, gruaja, dy djemtë si dhe vëllai i gruas së tij, janë rrahur nga dy persona të veshur me uniforma të policisë, në shtëpinë e tij në Vushtrri. Ai ka deklaruar më pas kishte kuptuar se kanë qenë Guroljub Paunoviq dhe Zoran Vukotiq.

Osmani ka thënë se kur Paunoviq dhe Vukotiq, kanë hyrë të armatosur në shtëpinë tij, ka parë se me vete kishin marrë edhe fqinjin e tij Fahredin Fazliun, për të cilin tha se ka qenë djalë i ri.

Ai ka deklaruar se Paunoviq dhe Vukotiq, anëtarët e familjes së tij, i kanë rrahur me grushte dhe shqelma.

“Vukotiq na ka vizatuar kryqin në ballë”, ka thënë ai, duke shtuar se një veprim të tillë i akuzuari e ka përsëritur disa herë.

“Paunoviq, e ka kapur Gazmendin, djalin e mikut tim, e ka vendosur në korridor, e ka goditur dhe se mua më ka pyetur nëse dëshiron të vrasë ty apo gruan tënde”, ka shtuar tutje ky dëshmitar.

Sipas tij, Pantoviq e kishte pyetur Gazmendin se ku janë paratë dhe ai i kishte thënë se halla i ka, duke shtuar se si gruaja e tij, më pasi ia ka dhënë 200 marka gjermane, Paunoviqit.

Gjatë dëshmisë së tij, ai ka cekur se pasi që i kanë rrahur dhe ua kanë marrë paratë, Paunoviq dhe Vukotiq, së bashku me Fahredin Fazliun, janë larguar duke u thënë që të rrinë përmbys dhe të mos dalin jashtë.

Ai ka shtuar se pas një ore kishte kuptuar se ishin vrarë katër fqinjët e tij, Hamdi, Fahredin dhe Avdullah Falziu si dhe Enver Rrustolli.

Sipas tij, identitetin e sulmuesve e kishte kuptuar nga  vëllai i Fahri Fazliut, Bedri Fazliu.

Gjatë marrjes në pyetje nga prokurori Paul Flyyn, nga dëshmitari është kërkuar që t’i përshkruaj sulmuesit, me ç’rast Paunoviqin e ka përshkruar të dobët dhe të trup shkurtër, derisa tha se ka pasur maskë dhe se ka qenë i armatosur me automatik, thikë dhe një armë tjetër.

Ndërsa, për të akuzuarin Vukotiq, tha se ka pasur syze dielli, sipas tij, fytyrën e ka pasur të ngjyrosur, se ka qenë i gjatë dhe i shëndoshë, duke shtuar se edhe ai ka qenë i armatosur me armë dhe thikë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Zoran Vukotiq, gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, i pandehuri i lartcekur në bashkëkryerje me të pandehurin Guroljub Paunoviq, në cilësinë e reservistit në policinë serbe, të veshur me uniforma të policisë dhe ushtrisë serbe, si dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë plaçkitur persona civilë shqiptarë nëpër oborre dhe shtëpitë  e tyre.

Bazuar në aktakuzë, Vukotiq dhe Paunoviq, me dashje i rrahin dhe pastaj i vrasin katër personat civilë shqiptarë, të identifikuar si Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu.

Gjithmonë sipas aktakuzës, katër të lartpërmendurit fillimisht janë rrahur dhe maltretuar nga rezervistët serbë në prani të Sanije Fazliut dhe Fikrije Fazliut, ku më pas në prani të tyre nga një afërsi kanë shtënë me armë në gjoks në Enver Rrustollin, dhe pastaj vazhdojnë të shtënat me armë në kokë dhe në gjoks në tre personat e tjerë, Avdullah, Fahredin dhe Hamdi Fazliun, dhe nga ky veprim, sipas aktakuzës, dalin dhe largohen nga shtëpia.

Po ashtu, në kuadër të kësaj aktakuze, Zoran Vukotiq,  në bashkëkryerje, akuzohet se në mënyrë çnjerëzore ka cenuar integritetin trupor shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar, Sanije Fazliu, Fikrije Shaqiri, Vehbi Xhema, Zejnepe Xhema, Nexhmi Xeham, Besart Xhema, Zeliha Xhema, Behar Pllana, Luljeta Rashica, Gani Maxhera, Halim Maxhera, Gazmend Shabani, Ahbet Sahiti, Skender Shabani, Bejt Osmani, Shukrije Osmani dhe Faik Musa, të cilët sipas kësaj aktakuze, janë rrahur me grushte, shqelma dhe mjete të tjera të forta, në pjesë të ndryshme të trupit, duke iu shkaktuar dhimbje të rënda fizike dhe mendore, pasoja të cilat të dëmtuarit e lartcekur i bartin edhe sot./Betimiperdrejtesi/