Dëshmia e babait të 3-vjeçarit që rrihej nga pronarja e çerdhes

Para dorëzimit të kërkesës për caktimin e masës ndaj pronares së kopshtit “Diren” Anjeza Shabani, prokurori i çështjes mori në pyetje edhe një herë babain e djalit 3-­vjeçar të dhunuar nga administratorja e kopshtit.

Lajme

23/06/2016 10:02

Ai ka lënë të kuptohet se djali i vogël demonstron shenja dhunimi e agravimi prej 6 muajsh.

Të dy prindërit e fëmijës së dhunuar u pritën dje edhe në Prokurorinë e Përgjithshme në zyrën për mbrojtjen e viktimave të dhunës.

Kjo zyrë po shqyrton mundësinë e ofrimit të mbështetjes psikologjike për fëmijën e dhunuar.

Grupi i hetimit theksoi dje se, pasi kanë parë regjistrimet e kamerave, babai i djalit dhe bashkëshortja janë traumatizuar.

“Djali është agravuar për një periudhë 6­ mujore, ka trauma, çdo natë zgjohet mbi 10 herë duke qarë dhe goditur veten në kokë, madje qëllon edhe prindërit, duke manifestuar dhunën që ka përjetuar”, ka dëshmuar në Prokurori babai i 3­vjeçarit.

Burime nga organi i akuzës kanë thënë se administratorja e kopshtit, Anjeza Husha, rrezikon edhe akuza të tjera penale që kanë të bëjnë me shmangien e detyrimeve tatimore dhe kryerjen e aktivitetit të palicencuar.

HETIMI

Ndërsa pamjet e dhunës ndaj fëmijës po transmetoheshin në emisionin “Stop” në TV Klan, Prokuroria e Tiranës urdhëroi nisjen e hetimeve kryesisht. Brenda pak orësh u mblodhën provat kryesore dhe u nxor urdhri i ndalimit ndaj shtetases Anjeza Husha, administratore e kopshtit që nuk ka licencë.

Prokuroria e Policia kanë marrë në pyetje edhe punonjëse të tjera të kopshtit, që kanë pranuar dhunën ndaj fëmijës, por kanë thënë se kanë pasur frikë të denoncojnë.