Deputeti i AAK-së mohon akuzat për fryrjen e listave, arsyeton numrin e 60 mijë veteranëve

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, i intervistuar nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, gjatë hetimit për fryrjen e listave të veteranëve, arsyeton numrin absurd të veteranëve. Ai ka thënë se "ata vetë kanë dalë, nuk i kam çu unë në luftë", ndërsa mohon pjesë nga aktakuza e publikuar sot, të cilën e ka lënë gati ish-prokurori pak para se të jepte dorëheqje.

Lajme

17/08/2018 11:50

Në listën e të intervistuarve për fryrjen e listave të veteranëve është i gjithë Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit në krye me Agim Çekun, përfshirë këtu edhe deputetin e AAK-së, Shkumbin Demaliaj.

Sipas aktakuzës që ka publikuar sot Koha Ditore, bazuar në procesverbalet e mbledhjeve të këtij Komisioni, Demaliaj kishte pranuar se listat e veteranëve po fryheshin, duke treguar gjatë një mbledhjeje të komisionit se është i vetëdijshëm që janë bërë lëshime gjatë verifikimit të statusit të veteranit.

“Shkumbin Demaliaj në minutën 49:30 e pranon se ka bërë lëshime vazhdimisht tek disa raste, siç është rasti me familjarët e dëshmorëve, të cilët janë bërë veteranë me qëllim që të mos i lërë te kategoria e dezertorëve”, thuhet në procesverbalin e audioincizimit të cituar në aktakuzën e publikuar sot.

Deputeti i  AAK-së thotë se nuk ka pasur ndonjë fajësi për ta pranuar, pasi që atyre që u është njohur statusi i veteranit kanë sjellë dokumentacion të mjaftueshëm dhe relevant për të marrë këtë status.

Ai thirret në një proces të rregullt të njohjes së statusit të veteranit, ani pse listat e veteranëve vlerësohen ndër mashtrimet më të mëdha që janë bërë, e tashmë për to është gati edhe aktakuzë.

“Nuk kam pranuar asnjë fajësi sepse nuk ka pasur çfarë të pranohet”, ka thënë Demaliaj.

I pyetur se si e shpjegon numrin absurd prej 60 mijë veteranëve, Demaliaj thirret në vërtetësinë e këtij numri, duke thënë se u është njohur statusi i veteranit atyre që kanë ofruar dokumentacion të nevojshëm.

“Unë nuk i kam çu në luftë ata. Vetë kanë qenë. Ne vetëm kemi punuar si komision”.

Demaliaj tregon për Express se ai është intervistuar nga prokurori para tre muajve, ndërsa “punën e pastër” e bazon në dokumentet, e thotë se mund të dalin proceserverbalet e mbledhjeve të komisionit.

“Ekzistojnë dokumentacionet, ekzistojnë procesverbalet, të gjitha mund të bëhen publike”, thotë deputeti, ndërsa mohon detaje të aktakuzës që u publikuan sot në media.