Deportohet nga Franca, dënohet në Shqipëri për kalim të kufirit

Një shtetas shqiptar është dënuar nga gjykata për kalim të paligjshëm të kufirit, pasi është depërtuar nga Franca. Në bazë të vendimit të gjyqtarit Artan Gjermani, shtetasi D.T. është cilësuar fajtor për kalimin e kufirit me Kosovën.

Lajme

18/05/2016 21:23

Në datë 18 shkurt 2016, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar në ngarkim të pandehurit D.T. procedimin penal për veprën penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror ”. Në datën 21 janar 2016 i pandehuri është kthyer në Shqipëri i deportuar nga autoritetet policore franceze. Sipas vendimit, nga verifikimet e bëra rezulton se i pandehuri ishte debitor në shumën 50 mijë lekë, gjobë administrative, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror.

Nga kontrolli i bërë në sistemin TIMS rezulton se D.T. nuk ka kaluar kufirin shtetëror nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të Republikës së Shqipërisë në mënyrë të ligjshme. I pyetur gjatë hetimeve paraprake i pandehuri ka deklaruar se e ka kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të paligjshme në afërsi të pikës kufitare të Morinës.

Në këtë mënyrë, gjykata vendosi të deklarojë fajtor të pandehurin D.T. për kryerjen e veprës penale të “kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” dhe dënimin e tij me 60 mijë lekë gjobë. Ne zbatim të nenit 406 te K.Pr.Penale të pandehurit i ulet 1/3 e dënimit, duke u dënuar përfundimisht me 40 mijë lekë gjobë. Dënimi me gjobë duhet të paguhet nga i pandehuri brenda 1 viti nga dita që vendimi merr formë të prerë.