I dënuari vuan nga sëmundja vdekjeprurëse, lutet për liri

Fati nganjëherë është përbindësh. Të paktën i tillë është për Miriem Musollarin, nga fshati Lozhan i Maliqit.

Lajme

09/06/2016 08:43

Është vetëm 29 vjeç dhe po tretet dita-ditës nga një sëmundje vdekjeprurëse. Ndërsa ndodhet në vendin që në një situatë të tillë nuk duhej të ishte, në një nga qelitë e Burgut të Sigurisë së Lartë të Drenovës. Fati i keq e ka ndjekur që herët, me vdekjen njëri pas tjetrit të prindërve e më pas vëllait dhe motrës. I mbetur i vetëm dhe në gjendje të keqe ekonomike, i riu ka vjedhur një shumë lekësh në një farmaci dhe ka përfunduar në birucë. Gjykata e Korçës e ka dënuar atë me 3 vjet heqje lirie. Por, jo vetëm kaq.

Një vit më parë, Musollari ka mësuar se vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe tani i duhet të përballet njëkohësisht me drejtësinë dhe me vdekjen. Në gjendje të rënduar psikologjike dhe pa shpresë, Miriem Musollari kërkon të lihet i lirë, ndonëse i kanë mbetur edhe 20 muaj për të përfunduar dënimin. Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, i dënuari tregon me detaje historinë e tij rrëqethëse.

Musollari pohon se u detyrua të vidhte se kishte mbetur pa bukë. I rrënuar dhe i pashpresë, i riu thotë se është shokuar kur ka mësuar se vuante nga një sëmundje dhe se i ka ditët të numëruara. Ai shprehet se prej asaj dite kur mori lajmin e kobshëm, jeton i vetmuar dhe është krejt i pashpresë. Ndërsa nuk mund të thotë sëmundjen që po i merr jetën, pasi do të braktisej nga të gjithë. Ndërkohë, i burgosuri Miriem Musollari i bën apel ministrit të Drejtësisë që ta lënë të lirë dhe t’i kalojë ditët e fundit të jetës në shtëpinë e tij. Sipas të riut, gjykata ia ka refuzuar dy herë kërkesën për lirim me kusht.

Miriem, për çfarë jeni dënuar dhe sa vite?

Jam dënuar me 3 vjet heqje lirie për veprën penale të “Vjedhjes”. Tani më kanë mbetur edhe 20 muaj dënim. Në kohën kur shkela ligjin, isha i dërrmuar si njeri dhe nuk dija se çfarë të bëja. Ishte një moment dobësie, pasi nuk kontrolloja dot veten për hallet që kisha. Isha pa bukë dhe pa ujë. Po ecja në rrugë dhe pashë një farmaci hapur, dhe pa u menduar dy herë shkova dhe vodha gjithë lekët që ishin në arkë. Më kapi policia, ndërsa gjykata më dënoi me 3 vjet burg. E meritoj dënimin, por në këtë gjendje që jam tani, s’kam fuqi të qëndroj në këto ambiente kaq të ftohta dhe të zeza. Jam shumë i sëmurë.

Nga çfarë sëmundje vuani dhe prej sa kohësh?

Kam më se një vit që e kam mësuar se vuaj nga një sëmundje prej së cilës nuk kam shpëtim. Shpesh kisha dhimbje, këputje dhe lodhje. Ndihesha i pafuqishëm. Gjendja ime shëndetësore u përkeqësua, ndaj më dërguan me urgjencë në spitalin e burgjeve në Tiranë. Pasi kam bërë të gjitha analizat, më thanë se isha prekur nga një sëmundje vdekjeprurëse. U shtanga. Atë moment doja vetëm të hidhesha nga kati i dytë dhe të mbyllja sytë. (qan) Nuk dua ta bëj publike sëmundjen time, pasi kjo do të ishte një traumë tjetër për mua. Kam arsye të forta për të mos e bërë publike, sepse përveç meje preken edhe dy persona të tjerë, të pafajshëm. Pastaj askush nuk do të qëndronte këtu me mua. Sidomos këtu, ku jeta është luftë.

Po familja juaj, e di se ju vuani nga një sëmundje vdekjeprurëse?

Familja ime… Ah sikur ta kisha familjen! Dy prindërit e mi kanë vdekur nga një sëmundje e rëndë. Edhe motra e vëllai u ndanë nga jeta po nga një sëmundje e rëndë. Unë s’kam askënd. Të afërmit e tjerë më kanë braktisur. Shokët më sjellin ushqime dhe veshmbathje këtu

Si është jeta këtu në burg?

Ferr. Një ferr i vërtetë. Askush nuk do t’ia dijë për të burgosurit. Ilaçe nuk ka. Mjeku vjen një herë në javë. Nëse kërkojmë diçka, na trajtojnë si kafshë. Unë kam nevojë të pi ilaçe rregullisht, në të kundërt mund të vdes nga momenti në moment. Ilaçe s’ka. Po tretem dita-ditës.

Çfarë kërkoni?

Unë kam kërkuar në gjykatë lirim me kusht për shkak të gjendjes sime të rënduar shëndetësore. Dy herë ma kanë refuzuar kërkesën, pasi sipas ekspertit mjekoligjor nga Tirana, nuk është e rrezikshme sëmundja ime. Kjo është vërtet qesharake, sepse nëse unë do e them publikisht sëmundjen nga e cila vuaj, do të shokohen të gjithë me këtë që thotë mjeku. Unë i kam ditët të numëruara. Do të luftoj deri në fund për të fituar lirinë, pasi nuk kam lekë të paguaj mjekun që më kërkoi të jepte firmën në gjykatë. Kam besim te ministri i Drejtësisë se do ta pranojë kërkesën time. I përgjërohem ministrit që të më plotësojnë dëshirën e fundit, që të shkoj dhe të jap shpirt në shtëpi e të prehem pranë prindërve të mi. /Gazeta Shqiptare