Dënohen deri në 20 vjet burg për përdorim të Facebook-ut

Tetë persona u akuzuan për fyerje të liderit suprem Ajatollah Ali Khamenei dhe aktivitetet kundër qeverisë iraniane, duke përhapur gënjeshtra dhe blasfemi në vend, përmes rrjetit social Facebook, dhe për këtë arsye morën dënime prej shtatë deri në 20 vjet burg.

Bota

30/05/2014 18:24

Gjykata iraniane dënoi tetë vetë me burgim nga shtatë deri në 20 vjet për një numër të veprave penale, duke përfshirë edhe atë të propagandës kundër regjimit përmes rrjetit social Facebook, njoftoi sot një website opozitar, ku bëhet e ditur se tetë personat u dënuan me gjithsej 123 vjet burg. 

Sipas AFP-së, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar të vendimit të gjykatës, dhe ka qenë e pamundur të konfirmohet lajmi i botuar në faqen e internetit të opozitës. 

Qasja në Facebook dhe faqet e tjera të ngjashme, nga autoritetet iraniane konsiderohet jo-islamike, e pamoralshme apo minim i rendit islamik, dhe ato mundohen të kufizojnë përdorimin në masë.