Del para gjyqit i akuzuari për vrasjen e motrës, dyshohet se e goditi 14 herë me thikë

Në Gjykatën e Prizrenit është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit për vrasjen mizore të motrës së tij.

Lajme

26/12/2018 23:43

Senad Kullaj nga Shkodra po akuzohet se në vitin 2013, në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta në mënyrë mizore motrën Ingrid Kullaj, i shtyrë nga motive të ulëta.

Aktakuza është e vitit 2018, pasi që i njëjti ka qenë në arrati dhe i paarritshëm për organet e drejtësisë.

Kapja dhe sjellja e të pandehurit në Gjykatën e Prizrenit është arritur pas lëshimit të fletë-arrestit ndërkombëtar.

Kullaj është ekstraduar nga Shqipëria në Kosovë.

Në shqyrtimin gjyqësor në seancën e drejtuar nga Raima Elezi kryetare e trupit gjykues dhe Sabahete Kurtishi dhe Vjollca Buzhala anëtare, ka dëshmuar Iftiman Kurtaj, me profesion taksist, i propozuar nga prokurori i çështjes Mehdi Sefa.

I njëjti rrëfeu se në ditën kur pretendohet se ka ndodhur ngjarja këtu i akuzuari Senad Kullaj, kishte marrë taksi nga Vërmica për në Prizren dhe më pastaj në orët e hershme të datës 4 qershor e kishte thirrur për ta kthyer deri në Shkodër.

Dëshmitari rrëfeu se nuk kishte parë ndonjë sjellje të çuditshme tek i akuzuari Senad Kullaj por as të personi tjetër, Sead Halilaj, të cilët gjatë kohës sa po ktheheshin në Shkodër kanë biseduar në mes vete, raporton kallxo.com.

Më tutje kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, në mungesë të 2 dëshmitarëve të tjerë të ftuar e ndërpreu shqyrtimin gjyqësor dhe i njëjti do të vazhdojë më 25 janar, kur do të ftohen dëshmitarët tjerë të propozuar nga Prokuroria e Prizrenit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Senad Kullaj, avokati Ndrec Dodaj, kundërshton aktakuzën.

Sipas tij, Prokuroria Themelore Prizren po e akuzon personin e gabuar, sepse sipas tij këtu i akuzuari Senad Kullaj nuk e mohon faktin se ka qenë në Prizren për të takuar motrën e tij, por në asnjë mënyrë nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet.

Sipas avokatit Ndrec Doda është e palogjikshme që i njëjti të ketë vrarë motrën e tij duke e goditur 14 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

Avokati tha se të gjitha këto do të vërtetohen pasi që të dëgjohen dëshmitarët, edhe pse i akuzuari deri më sot nuk është deklaruar asgjë lidhur me këtë çështje.

Sipas avokatit, kur i akuzuari do të deklarohet dhe kur do të japë mbrojtjen e vet do të vërtetohet dhe do të zbardhet fakti se i njëjti në asnjë rrethanë nuk e ka kryer veprën penale për të cilën po akuzohet, raporton www.kallxo.com.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ngjarja e ndodhur në qershor të vitit 2013 në Prizren, ku viktima Ingrid Kullaj është vrarë në mënyrë mizore nga vëllai i saj Senad Kullaj, ka ndodhur ndërmjet orës 03:00 dhe 06:00 të mëngjesit, kur i akuzuari Senad Kullaj sipas aktakuzës së bashku me Sead Halilajn kanë ardhur për ta vizituar viktimën Ingrid Kullaj, e cila ishte duke punuar si këngëtare- valltare në Mitrovicë, të njëjtit janë takuar në Prizren.

Sipas aktakuzës pasi që i akuzuari Senad Kullaj pasi që nuk ishin pajtuar me motrën Ingrid lidhur me punën e saj si valltare dhe këngëtare në lokalet e natës, i akuzuari Senad Kullaj papritmas me thikë me teh 21.3 centimetra, fillon ta godas motrën në pjesë të ndryshme të trupit, në shpinë, disa herë në kokë e në qafë.

Sipas aktakuzës nga goditje me thikë në pjesët e përparme të qafës, viktimës iu kishin dëmtuar rrugët e ushqimit, dhe të frymëmarrjes dhe kishte këputur enët e gjakut dhe nervat në atë pjesë, me ç’rast ka ardhur deri të vdekja e dhunshme si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e shumta prerëse e shpuese.