Déjà vu 2.0 – Lajmi.net
Déjà vu 2.0
Autori: Blerim Shala LajmeOpinion 10:37, 22 June 2017
Nëse duam t’i lëmë prapa dukuritë e paralizës politike paszgjedhore, në mandatin e ri të Kuvendit të Kosovës, do të duhej përgatitur tri ndryshime të mëdha ligjore.

Déjà vu?

Të gjithë ne e dimë domethënin e këtij nocioni apo dukurie. Të duket, e ke bindjen, madje, je i sigurtë që kjo çka po të ndodhë tash, është diçka tashmë e parë dhe e përjetuar.

Rëndom, ky fenomen të ngjanë kur je shumë i lodhur, kur ke probleme me kujtesën, dhe kur nuk je i ekulibruar.

Te tri këto veçori, lodhja, telashet me memorien dhe baraspeshën, janë tipare që mbizotërojnë me politikën kosovare tash e sa vjet.

Por, në rastin tonë, ndjenja kolektive politike që çka po shohim dhe po vërejmë  (e kuptojmë) këto ditë, është diçka që e kemi kaluar njëmend, diku më parë, është një përshkrim tepër i sakt i situatës në të cilën gjindemi tash e gati dy javë, apo që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

Ta zëmë, a nuk i kemi sërish pamjet e çoditishme nga Qendra e numërimit dhe rinumërimit të votave në Fushë Kosovë, ku zbatohen vendimet e KQZ-së, të cilat flasin për probleme të konfirmuara me disa vendvotime, ku rezultati final i zgjedhjeve është i kontestuar? Para tri viteve, e me gjasë edhe kësaj here, tri deri në katër javë pas ditës së zgjedhjeve do të kemi një numërim të vazhdueshëm të votave të kandidatëve për deputetë të subjekteve politike që morën pjesë në këto zgjedhje.

Fare lehtë qysh tash mund të paramendohet që këto pamje, nga QNR në Fushë Kosovë, do t’i kemi edhe pas zgjedhjeve të reja parlamentare, kurdo që të mbahen ato.

Nëse në ndërkohë nuk ndryshojmë diçka.

Natyrisht, edhe nëse krahasojmë deklaratat e politikanëve të të gjithas partive, entiteteve dhe koalicioneve, tash e dhjetë ditë, me ato të para tri viteve, do të na merr mendja që po e përjetojmë të njejtën situatë. Përfaqësuesit e të njejtës parti a entitet, bëjnë be çka nuk mund të ndodhë kurrë me ta, kur bëhet fjalë për kalkulimet pas-zgjedhore, ndërsa e dimë të gjithë që më nuk ka mbetë shumë besim tek qëndrimet kategorike të politikanëve tonë. Këtu duhet shtuar që në përgjithësi, qëndrimet kategorike që ndërtohen mbi atë ‘kurrë’, nuk preferohen aspak në politikën demokratike.

Pastaj vijnë edhe deklaratat e diplomatëve perëndimor në Prishtinë, të cilët, njëlloj si radhës së kaluar, na thonë që ndërtimi i institucioneve qendrore të Kosovës është obligim i yni, dhe që kushdo që siguron atë numrin magjik prej 61 deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do ta ketë përkrahjen e tyre, natyrisht, nëse respekton një Agjendë politike tashmë të dakorduar në mes BE-së, SHBA-së dhe Kosovës. Dihet çka e pret Qeverinë e re të Kosovës.

Janë dy risi, ndryshe, kur të krasaohet gjendja e sotme në politikën kosovare, me atë të para tri viteve.

Së pari, në përpjekjen e atëhershme për t’i dhënë udhë politikës kosovare që ishte vetë-ndalur në ‘ngërçin politik’, Gjykata Kushtetuese i ofroi dy Vendime të saja, të cilat natyrisht janë në fuqi edhe sot e kësaj dite. Këto Vendime sa sqaruan paksa anën procedurale të procesit të krijimit të institucioneve qendrore të Kosova, ndërlikuan edhe më shumë aspektin politik të këtij procesi.

Sidoqoftë, kësaj here askush nuk do të kërkojë shpjegime shtesë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Së dyti, së paku për momentin, nuk ka interesim mediatik për vlerësimet dhe parashikimet e astrologëve dhe filxhankëqyrësve shqiptarë gjithandej trojeve etnike, për gjasat që ky apo ai koalicion/ parti, i ka për ta bërë Qeverinë e re të Kosovës. Duhet të kalojnë edhe pak javë, dhe nëse në ndërkohë nuk do të ndodhë bërja e Qeverisë së Kosovës, do ta kemi ri-kthimin masiv në skenë të këtyre parashikuesve të fatit të politikës dhe të qytetarëve të këtij vendi.

Politika e një vendi demokratik ndërtohet natyrisht, mbi legalitetin dhe legjitimitetin. Zgjedhjet demokratike janë të pazëvëndësueshme në seleksionimin e deputetëve dhe të qeveritarëve të ri. Por, ana legale mund edhe të pësojë ndryshime, nëse ajo shihet si burim i pengesave të lloj-llojshme politike, të cilat po i përjetojmë dy herë në tri vitet e kaluara.

Nëse duam një herë e mirë t’i lëmë prapa përjetimet dhe dukuritë që nisin e sosin rreth nocionit të paralizës politike, në mandatin e ardhshëm të Kuvendit të Kosovës, do të duhej përgatitur tri ndryshime të mëdha ligjore.

Së pari, duhet ndryshuar Ligjin për zgjedhje të përgjithshme, apo duhet bërë Reformë të thellë elektorale.

Së dyti, duhet Amandamentuar Kushtetutën e Kosovës për t’i dhënë qartësi të plotë procedurës së krijimit të Qeverisë së Kosovës.

Së treti duhet Amandamentuar Kushtetutën e Kosovës për të definuar mirë procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës

Fjalët kyçe: Blerim Shala, Déjà vu 2.0

Fotolajm

Pandat gjigante mbushin 1 vjeç në Makao
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master
  • Play Bow Master Japan
  • Play Bike Rivals
  • Play Urban Basketball