Dalin pamjet, ja si ndodhi plagosja në Elbasan (Foto&Video)

Policia e Elbasanit, një ditë pas atentatit të djeshëm, ku u plagosën dy persona, nuk ka asnjë të dyshuar. Në përpjekje për të zbardhur ngjarjen, ka vënë në dispozicion 20 mijë euro, për personin që do të japë informacion për kapjen e autorit.

Lajme

07/06/2016 15:45

Me anë të një deklarate drejtuar mediave, policia bëri të ditur se do të sigurohet anonimati për çdo informacion që qytetarët do të japin për t’u hedhur dritë mbi ngjarjen.

“Policia e Elbasanit, është angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet e saj, duke angazhuar specialistët dhe ekspertët më të mirë për të zbardhur ngjarjen e ndodhur dje në lagjen “5 Maj”, në rrugën “28 Nëntori” në Elbasan. Një person ende i pa identifikuar ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Golf”, me targa AA 997 FR, duke plagosur brenda tij, shtetasin B. M., 37 vjeç, banues në Elbasan. Gjithashtu si pasojë është plagosur dhe shtetasja M. K., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë punonjëse e policisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, e cila ka qenë duke kaluar rastësisht pranë vendit të ngjarjes. Të dy shtetasit u dërguan menjëherë në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia e Elbasanit kërkon bashkëpunimin e komunitetit për të bërë të mundur zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, vë në dispozicion shumën prej 20.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që çon në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Sigurojmë anonimatin për çdo shtetas që do japë informacion të saktë në numrat e cel 0694110853 dhe 0694100003 dhe në numrin pa pagesë 129”, citohet në njoftimin e policisë.

Vetura

Mëngjesin e ditës së djeshme, rreth orës 10:00, në një nga zonat më të populluara të Elbasanit, në rrugën “28 Nëntori” një person i armatosur hapi zjarr me breshëri automatiku ndaj një makinë ku ishin Florenc Capja dhe Bledar Muça. Plumbat plagosën lehtë Bledar Muçën dhe një efektive policie që ishte duke kaluar aty rastësisht.Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se një person ende i paidentifikuar, i cili ishte ulur në ambientet e jashtme të një lokali buzë rruge, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të makinës tip “Volkswagen Golf” me targë AA 997 NE, që drejtohej nga 37-vjeçari Bledar Muça.

Mësohet se nga breshëria e plumbave ka mbetur e plagosur aksidentalisht edhe një grua, kalimtare e rastit. Bëhet fjalë për 49-vjeçaren Matilda Kermezo, efektive e Policisë së Shtetit. Atentati i tipit mafioz ka shkaktuar panik te qytetarët, ndërsa efektivët blu kanë shkuar shpejt në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet. Pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake, dyshohet që ngjarja të ketë si motiv hakmarrjen ndaj fisit Çapja. Është hera e dytë që 35-vjeçari Florenc Çapja dhe miku i tij Muça i shpëtojnë atentatit. Të dy këta persona mbetën të plagosur në masakrën e 3 shkurtit të këtij viti.