Çrrënjosje e ndikimit të Serbisë

Kryeministri Thaçi thotë se zgjedhjet e 1 dhjetorit e çrrënjosin ndikimin e Serbisë në Kosovë. Sipas tij, Asociacioni i Komunave Serbe nuk ka karakter ekzekutiv as legjislativ. Ai është i gatshëm të takohet me Kryetarët e Komunave me shumicë serbe.

Lajme

04/12/2013 15:21

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se zgjedhjet lokale të këtij viti në Kosovë e kanë çrrënjosur Serbinë nga Kosova.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Shefi i Qeverisë së Kosovës u shpreh se këto zgjedhje i kanë dhënë fund pretendimeve për formimin e ndonjë entiteti brenda Kosovës të ngjashëm me Republikën serbe në Bosnjë.

Duke folur para takimit të tij të radhës me homologun serb Ivica Dacic, Thaçi është shprehur se Asociacioni i Komunave të Kosovës do të jetë një mekanizëm konsultativ, jo-obligues, pa karakter legjislativ apo ekzekutiv.

“Suksesi i zgjedhjeve të 3 dhe 1 dhjetorit, definitivisht do ta çrrënjosë ndikim e Serbisë në Kosovë. Përfundimisht nuk do të ketë as Republikë Serbe, as autonomi, e as pretendime për ndarje territoriale të Kosovës. Kosova është një, unike, e pandarë dhe do të punojmë për të ardhmen europiane të saj dhe si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj”.

Sipas Thaçit, Asociacioni i Komunave Serbe, për të cilin do të diskutohet nesër në Bruksel, do të funksionojë plotësisht në përputhshmëri me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe me Marrëveshjen e 19 Prillit.

“Çdo pretendim tjetër apo çdo interpretim për një funksionim tjetër do të jetë i papranueshëm dhe i parealizueshëm. Ky është qëndrimi i Republikës së Kosovës dhe i Bashkimit Europian”.

“Asociacioni është një mekanizëm konsultativ, vullnetar. Kompetencat do të jenë plotësisht në përputhshmëri me Kushtetutën, ligjet, e Kosovës dhe Marrëveshjen e 19 Prillit. Ato nuk do të jenë as më shumë e as më pak sesa kompetencat e asociacionit të komunave tjera në Kosovë”.

“Do të jetë një mekanizëm konsultativ, jo obligues  dhe nuk do të ketë karakterin ekzekutiv apo legjislativ në asnjë rrethanë”.

Thaçi, në vazhdim të intervistës së tij për Evropën e Lirë,  është shprehur se nuk do të ketë shkëputje nga sistemi gjyqësor i Kosovës kur bëhet fjalë për gjykatat në Veri.

“Pretendime të tilla mund të ketë, por ato do të jenë të parealizueshme. Sistemi policor dhe ai i drejtësisë do të jenë unike dhe plotësisht në përputhshmëri me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Do të jetë një sistem funksion policor dhe i drejtësisë”.

Ai është shprehur i gatshëm të takohet me drejtuesit e komunave me shumicë serbe të Kosovës, shumica dërmuese e të cilëve vijnë nga “Lista Serbe”. Madje ai ka thënë se pret që edhe t’i vizitojë në zyrat e tyre.

“Ata janë liderë dhe kryetarë të zgjedhur nga votat e qytetarëve në zgjedhjet e lira e demokratike. Unë pres që do të takohem. Pres që t’i vizitoj. Pres që të punojmë bashkërisht për të mirë të qytetarëve kudo që jetojnë, qoftë në Veri apo në Jug”.

“Organizimi i këtyre zgjedhjeve ka legjitimuar definitivisht Marrëveshjen e 19 Prillit dhe na ka dhënë të drejtën tonë se ne kemi marrë vendimet më të mira të mundshme për realitetin kosovar”, ka thënë Kryeministri Thaçi për Radio Evropa e Lirë.