Çollaku: Ikja nga Kosova, harxhime të kota pasi asnjë shtet nuk jep azil

Migrimi i paligjshëm i qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Europian është e keqe e dyfishtë për Kosovën. Qytetarët po bien viktima të grupeve kriminale që po e promovojnë dhe po e mundësojnë këtë aktivitet për përfitime personale. Kosovarët s’i pranon asnjë vend evropian si azilantë. Kushdo që ndërmerr këtë rrugë e vë veten dhe familjen në rrezik jashtëzakonisht të madh, pa asnjë shans për ndonjë përfitim. E sigurt është se të vetmit përfitues nga migrimi i paligjshëm janë trafikantët dhe kriminelët, tha ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku.

Lajme

14/12/2014 13:51

Në një intervistë për gazetën Express, Çollaku tha se pavarësisht shkaqeve që i shtyjnë këta qytetarë të Kosovës të marrin një rrugëtim të tillë të rrezikshëm, “unë me bindje të plotë deklaroj se mundësia që ndonjëri nga ata të përfitojë statusin e azilit në ndonjë vend të BE-së është pothuajse inekzistente”.

“Pra, qytetarët përveç që humbasin kursimet e tyre të fundit financiare, ata arrestohen në përpjekje për të kaluar kufirin në mënyrë ilegale, detyrohen të jetojnë për muaj të tërë në kushte të vështira derisa të bëhet riatdhesimi i tyre, dhe, kur kthehen në Kosovë kthehen edhe më të varfër sesa para largimit të tyre. Të gjithë ata që tashmë janë gënjyer nga trafikantët e tillë, ose ata që mendojnë se ia vlen t’i hyjnë një rreziku të tillë, gabohen rëndë. Nuk do të gjejnë asnjë strehë më të mirë dhe më të sigurt sesa në atdheun e tyre, pavarësisht kushteve ekonomike në të cilat ata jetojnë. Kjo aventurë e pakuptimtë dhe e rrezikshme duhet të marrë fund. Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë se shumë më pak rrezik mbart me vete një përpjekje e tyre serioze që në vend që t’iu japin mijëra euro trafikantëve, të provojnë të hapin një biznes të tyre privat në Kosovë. Ky do të ishte një mision shumë më i mundur sesa misioni i pamundur që nëpërmjet rrugëve ilegale të iket nga Kosova” është shprehur ministri i Integrimeve Çollaku.

Në pyetjen se çfarë janë duke bërë organet kompetente për të ndërprerë këtë dukuri që ka marrë hov veçmas në kohë të fundit, Bekim Çollaku ka thëne se organet kompetente, në rend të parë policia është duke u marrë me këtë problem në mënyrë shumë intensive. “Si rezultat i kësaj pune,  kemi me dhjetëra raste të parandalimit të përpjekjeve të tilla dhe, natyrisht, kemi edhe dhjetëra arrestime të atyre personave që janë përfshirë në këtë trafikim të paligjshëm. Përveç kësaj, në nivelin politik janë të vazhdueshme sqarimet dhe thirrjet drejtuar qytetarëve të Kosovës që të mos bien pre e trafikantëve, të cilët synim të vetëm kanë plaçkitjen e qytetarëve të manipuluar. Pjesë e kësaj përpjekje për të sqaruar qytetarët janë edhe të gjitha ambasadat e shteteve të BE-së që janë në Kosovë”.

Ndërkaq, në planin strategjik, Çollaku tha se ka plane, mirëpo rezultatet nuk  mund të jenë të menjëhershme. “Të gjithë e dimë se zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës është përgjigjja më e mirë për ndalimin e kësaj dukurie negative, e cila seriozisht po e dëmton punën e deritanishme drejt liberalizimit të vizave. Pikërisht për këtë arsye, qeveria e re prioritet ka zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë brenda natës. Duhet kohë dhe punë e madhe nga të gjithë që të arrijmë rezultatet konkrete”, tha pos tjerash në këtë intervistë dhënë gazetës Express.