Çelësi AAK

Ahmet Isufi thotë se ekzistojnë pakënaqësi të shumta lidhur me Buxhetin e vitit 2014. Nëse nuk bëhen ndryshime, paralajmëron se AAK mund të mos e votojë atë. Ai pohon se vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, për faj të Qeverisë.

Lajme

20/11/2013 06:31

Në Kuvendin e Kosovës të enjten do të diskutohet për Projekt-Buxhetin për vitin 2014, dokument që ka ngjallur pakënaqësi te partitë opozitare.

Tashmë është e ditur se LDK dhe Vetëvendosje nuk do ta votojnë atë. Vendimin e tyre, të dy këto subjekte, e kanë bërë të ditur ditë më parë.

Prandaj, për këtë çështje, krucial është qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti tjetër në opozitë.

Të hënën, në Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, Shefi i Grupit Parlamentar të AAK’së, Ardian Gjini, kishte deklaruar se subjekti i tij akoma e ka të paqartë vendimin për këtë çështje.

E sot pritet që Grupi Parlamentar i AAK’së ta marrë një qëndrim zyrtar lidhur me Projekt-Buxhetin e Kosovës për vitin 2014.

Në një intervistë për lajmi.net, Nënkryetari i këtij subjekti, Ahmet Isufi, ka deklaruar se ekzistojnë pakënaqësi të shumta lidhur me vijat buxhetore, të cilat, sipas tij, nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve.

“Të mërkurën e kemi mbledhjen Grupit Parlamentar dhe do ta marrim qëndrimin zyrtar”.

“Paraprakisht po them se ka pakënaqësi të shumta lidhur me Buxhetin, sepse vijat buxhetore të cilat janë të përcaktuara nuk janë në ato nevojat e domosdoshme, sidomos për investimet kapitale dhe me interesat e qytetarëve të Kosovës”.

Isufi thotë subjekti i tij “nuk i bën nder Kosovës” nëse e voton këtë Projek-Bbuxhet, kështu siç është prezantuar nga Qeveria për lexim të parë në Kuvend, pasi që, sipas tij, vërejtjet të cilat ata i kanë “duhet të merren parasysh”.

“Nëse ky Buxhet nuk ndryshon në vërejtjet që mund t’i kenë deputetët dhe sidomos ata që i njohin problemet buxhetore, atëherë nuk kemi pse ta votojmë, sepse votimi a-priori e pengon zhvillimin e Kosovës”.

Isufi paralajmëron Qeverinë se nëse nuk ndryshohet Projekt-Buxheti me kërkesat dhe me vërejtjet e deputetëve të AAK’së, vendi shumë lehtë mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nëse Qeveria është e gatshme që t’i shohë problemet serioze që i ka Kosova lidhur me vijat buxhetore që do të përcaktohen, atëherë mundet që t’i bëjë ndryshimet e duhura”.

“Nëse Qeveria nuk u përmbahet kërkesave tona dhe vërejtjeve që i kemi, ne nuk kemi asnjë arsye që ta votojmë atë”.

Kur duket se Kuvendi e ka kaluar përkohësisht ngërçin e shkaktuar nga bllokada të cilën ia kishte shkaktuar çështja e privatizimit të 75 për qind të aksioneve të PTK’së, votimi i Buxhetit paralajmëron një krizë të re për Qeverinë e vendit.

E për Ahmet Isufin, nëse vendi shkon shkon në zgjedhje të parakohshme, fajtore për këtë do të mbetet Qeveria e Kosovës.

“Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo është pasojë e një qeverisje e cila nuk po di që ta menaxhojë çështjen e Buxhetit të Kosovës”, ka thënë Ahmet Isufi për lajmi.net.