Çelaj ia numëron dështimet Shpend Ahmetit

Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj ka deklaruar se i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti nuk ka realizuar asnjë projekt të suksesshëm.

Lajme

21/03/2017 22:05

Madje, ai si i ftuar në Zona B ka numëruar disa nga projektet që i cilëson si dështime të Shpend Ahmetit.

“Vetëm në buxhet investime kapitale nuk i ka investuar 15 milionë nga mbi 30 milionë që i ka pasur në dispozicion”.

“Nuk ka dështim më të madh se kjo në një buxhet të aprovuar, për projektet që ai i ka vënë në buxhet e jo ne. Ka dështuar të ndërtojë shkolla, e ka filluar një në Arbëri dhe ajo ka mbetur në gjysmë”.

“Lagjja Kodrina, është shkelje flagrante e Ligjit. Pishina olimpike nuk është realizuar. Shkolla e muzikës ka mbetur peng, nuk është ndërtuar që disa vite. Nuk është bërë salla koncertale. Nuk është ndërtuar asnjë parking. Asnjë unazë”.

Çelaj ka treguar edhe pse sipas tij, PDK i ka ndihmuar Shpend Ahmetit nga Lëvizja Vetëvendosje të fitojë zgjedhjet lokale në Prishtinë.

“Ne kemi besuar në ndryshim, i vetmi opsion i ndryshimit ka qenë Shpend Ahmeti. Kemi besuar në një energji të re, por fatkeqësisht kjo nuk ndodhi – bile puna e parë që bëri ishte të na kritikojë dhe të na shajë”.