“Çapjat qëlluan policinë”, prokuroria tregon çfarë ndodhi në Elbasan

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zbardhur përplasjen e armatosur të Çapjave me policinë pasditen e së mërkurës në Elbasan. Sipas organit të akuzës, 2 punonjës të forcave operacionale kanë qenë në lëvizje në rrugën “Emin Matraxhiu” ku kishin për detyrë mbajtjen nën vëzhgim të pjesëtarëve të familjes Çapja pas ngjarjeve në Elbasan.

Lajme

12/06/2016 19:18

Rreth 800 metra nga hotel “Univers” 2 policët i ka ndjekur nga pas  dhe u ka bërë më shenjë që të ndalonin, automjeti tip “Benz” që ata duhet të mbanin në vëzhgim.

Ndërsa mjeti ka qenë thuajse akoma i pandaluar mire , ndaj tyre ka nisur të qëllohet me armë. Qitjet kanë thyer xhamin e pasëm dhe, kanë përshkruar tej e për tej mjetin,  duke dalë nga xhami i përparmë.

Efektivët e forcave operacionale  i kanë paralajmëruar me zë të lartë duke  treguar edhe një bluzë të uniformës me stampimin “POLICIA”.

Por duke parë se dhe pas këtyre paralajmërimeve, ata nuk kanë reaguar, 2 policët u janë përgjigjur me zjarr duke përdorur armën e shërbimit automatike,  e cila ndodhej në mjetin e tyre.

Ky shkëmbim zjarri ka vazhduar për pak dhe më pas mjeti tip ”Benz” është larguar drejt “Hotel Univers” ku kanë ardhur shërbimet e F.N.SH dhe RENEAS të cilat ishin njoftuar për situatën.

E gjithë skena sipas prokurorisë është filmuar nga kamerat e sigurisë të disa bizneseve në rrugën Emin Matraxhiu dhe kjo është prova më e forte kundër pjesëtarëve të fisit Çapja.

Ngjarja vjen pas një seri vrasjes te ndodhura në Elbasan ku të përfshirë janë pjesëtarë të këtij fisi.