Bytyqi thotë se Qeveria nuk ka mundësi buxhetore të rrisë koeficientin e pagave
SBASHK-u, nuk është tërhequr nga kërkesat e tyre të mëparshme, megjithatë ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi pret që nesër të fillojë mësimi i rregullt nëpër shkolla.

Lajme
Bytyqi ka thënë se qeveria nuk ka mundësi buxhetore që të rrisë më shumë koeficientin e pagave.
Ai ka thënë se presin që nesër të gjitha shkollat të fillojnë mësimin pasi nuk ka më asnjë arsye nga askush që të pengohet procesi mësimor.
“Nxënësit nuk janë fajtor dhe mendoj se Qeveria ka reflektuar dhe siç ka reflektuar Qeveria të reflektojë edhe SBAShK-u dhe ne do t`ia bëjmë edhe një ofertë tjetër SBAShK-ut si Qeveri që të fillojmë menjëherë edhe me akterët tjerë të arsimit, të debatojmë dhe të marrim obligime, pra edhe pjesa e akterëve të arsimit edhe qeveria të merr përgjegjësi dhe obligime”, ka shkruar ministri i Arsimit në Facebook, përcjell lajmi.net.
Postimi i plotë:
Bashkë me anëtarët e grupit punues (për menaxhimin e situatës pas grevës) dhe përfaqësuesit e Kryeministrit, mbajtëm një takim me këshillin e grevës së SBASHK-ut, për të diskutuar dhe informuar saktësisht lidhur me veprimin e fundit që Qeveria ka ndërmarrë për rritjen e koeficientit, gjegjësisht për rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe të gjejmë një mirëkuptim që të ndërpritet greva dhe të filloi mësimi sa më parë, sepse të gjitha orët e humbura janë dëm i pariparueshëm.
Qëllimi i këtij takimi ishte që të informohet saktësisht Këshilli i grevës se sa vërtetë ka implikim rritja buxhetore në rritjen e pagave të mësimdhënësve dhe cilat kategori janë prekë, sepse ka paqartësi.
Gjatë këtij takimi, tashmë u qartësuan të gjitha rritjet që kanë ndodhur në sistemin arsimor dhe ne si qeveri mendojmë se nuk ka asnjë lloj arsye që të vazhdojë greva.
Sipas vendimit të fundit të Qeverisë dhe pajtimit të Komisionit Parlamentar, do të ketë rritje për të gjithë sistemin arsimor parauniversitar me koeficientin 0.20, pra rritja e një koeficienti që përkthyer në shifra i bie rreth 48 euro për secilin mësimdhënës duke u bazuar në pagën aktuale që sot kanë.
SBASHK-u vazhdon me pasë kërkesa që i ka pasë që nga fillimi, por konsideroj se nuk e kanë të qartë se nuk është çështje diskutimesh por është mundësi buxhetore dhe nuk ka mbetë më hapësirë për diskutim, sepse kjo është mundësia e vetme buxhetore për një rritje pagash, që nuk është në fakt rritje e ulët, sepse ka një implikim buxhetor të lartë.
Ne presim që nesër të gjitha shkollat të fillojnë mësimin dhe nuk ka më asnjë arsye nga askush që të pengohet procesi mësimor.
Nxënësit nuk janë fajtor dhe mendoj se Qeveria ka reflektuar dhe siç ka reflektuar Qeveria të reflektojë edhe SBAShK-u dhe ne do t`ia bëjmë edhe një ofertë tjetër SBAShK-ut si Qeveri që të fillojmë menjëherë edhe me akterët tjerë të arsimit, të debatojmë dhe të marrim obligime, pra edhe pjesa e akterëve të arsimit edhe qeveria të merr përgjegjësi dhe obligime. /Lajmi.net/