Borxhet e veriut s’kanë fund, vetëm për ujë arrin në miliona euro

Qeveria e Kosovës herë pas here ka subvencionuar Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica” për ujin e harxhuar në pjesën veriore të Kosovës dhe nga 12 milionë euro sa është borxhi total i veriut, deri më tani ka mbuluar vetëm rreth 300 mijë euro. Veriut i faturohet uji me çmimin prej 18 centë, gati trefish më ulët se që është çmimi aktual për një metër kub ujë (45 centë)

Lajme

13/08/2016 08:29

Ashtu siç nuk kanë paguar kurrë për shpenzimet e energjisë elektrike, qytetarët e veriut të Kosovës, institucionet publike, ndërmarrjet dhe bizneset nuk kanë paguar asnjëherë as për ujin e shpenzuar.

Veriut të Kosovës për çdo muaj i dërgohen rreth 377 mijë metra kub ujë nga fabrika për përpunimin e ujit në Shipol të Mitrovicës. Për 377 mijë metra kub ujë, veriut të Kosovës i faturohen 69.225 euro, ose rreth 800 mijë euro në vit, shkruan ‘Zeri’.

Faturimi nuk bëhet me qëllimin që të mblidhen mjetet për ujin e shpenzuar në atë pjesë, pasi që inkasomi në anën përtej Ibrit është i pamundshëm, por ai bëhet vetëm sa për të ditur se sa metra kub ujë i dërgohen pjesës veriore.