Bojaxhiu mohon akuzat për transferta të dyshimta në “offshore”

Ish-kandidati për kreun e bashkisë së Tiranës, Gjergj Bojaxhi, ka reaguar lidhur me një hetim policor që e implikon atë në një skemë mashtrimesh të firmave kryesore të import-eksportit të karburanteve në vend.

Lajme

01/05/2016 23:30

Ai ka mohuar akuzat për transferta të dyshimta në “offshore”, duke u shprehur se kompania ku punon si administrator është tatimpaguese e rregullt dhe s’ka abuzuar me ligjet fiskale.

“Si shtetas amerikan kam detyrimin e deklarimit vjetor të të ardhurave të mia edhe në Shtetet e Bashkuara. Ligjet atje kërkojnë që shteti amerikan të vihet në dijeni jo vetëm për të gjitha të ardhurat, por edhe për llogaritë e mia kudo që gjenden ato si edhe të kompanisë që unë drejtoj”, shprehet Bojaxhi në reagimin e tij.

Bojaxhi shprehet i gatshëm të vërë në dispozicion të gjitha dokumentet që disponon për organet ligjzbatuese. “Jemi të gatshëm të ndajmë me të gjitha organet ligjzbatuese shqiptare e amerikane të gjitha informacionet dhe dokumentacionin që disponojmë”, vijon reagimi i tij.