“As me shehër, as me Barilevë” – Udhëkryqi që po e ‘mëson’ Kurtin se çka është presioni i ndërkombëtarëve

“Viti 2023, data 22 shtator – Kryeministri i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjendej në një udhëkryq ku vendosi të këmbëngulte në teorinë: ‘As me shehër, as me Barilevë'” Kështu do të ketë mundësi të shkruajë historia për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti, por jo për pyetjen ironike që përdoret në popullin…

Lajme

22/09/2023 14:26

“Viti 2023, data 22 shtator – Kryeministri i atëhershëm i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjendej në një udhëkryq ku vendosi të këmbëngulte në teorinë: ‘As me shehër, as me Barilevë'”

Kështu do të ketë mundësi të shkruajë historia për kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti, por jo për pyetjen ironike që përdoret në popullin tonë kur dikush nuk di çka të vendos mes dy zgjedhjeve të thjeshta.

Në vend të ‘shehrit’ dhe ‘Barilevës’, Kurtit në fakt tani më shumë po i përshtatet shprehja “as me Evropën, as me Amerikën”.

Si njëra si tjetra në këtë rast, rezultatin e kanë pothuajse të njëjtë ashtu siç i kanë kërkesat: PËRFUNDIMIN E DIALOGUT.

E përfundimi i dialogut për evropianët dhe amerikanët do të thotë vazhdim tutje në dialogun momental, pasi që ka një kohë të gjatë që i njëjti ka ngecur në proces.

Aktualisht, opinioni gjendet në një ‘mjegull’ informacioni shkaku i deklaratave që po pushtojnë rrjetet sociale sa herë që ka takime të niveleve të larta mes Kosovën dhe Serbisë, natyrisht me ndërmjetësim të BE-së.

Ani pse i kishte lavdëruar sa ishte në opozitë, Kurtit tash nuk po i bien ‘tamam’ as evropianët që i lartësonte sa ishte lider opozitar, e as amerikanët që po i mbështesin evropianët për dialogun.

Herën e fundit që ishte në konferencë për media pas takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Bruksel, Kurti deklaroi se emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak ‘është në një vijë’ me Vuçiqin, duke nxitur kështu reagime të shumta.

Njëjtë vepruan edhe vartësit e Kurtit. Po atë ditë dhe ditëve në vijim, të njëjtit pyesnin opozitën nëse duhet t’ia bëj Kosova qejfin Lajçakut.

Por, si duket nuk është në pyetje këtu vetëm qejfi i Lajçakut.

Së fundmi, i ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti është treguar edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i cili gjatë një interviste ka deklaruar se Lajçak gëzon besimin e plotë të SHBA-së dhe BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

Tutje, ai ka thënë se Lajçaku nuk duhet të largohet nga procesi, njëjtë si dialogu që sipas tij nuk duhet të ndalet. Ai ka ironizuar edhe me kërkesat e Kurtit ndaj ndërkombëtarëve.

“Nuk mendoj se një vend prej 1.5 milionë banorëve do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij”, ka deklaruar Escobar.

Sidoqoftë, nuk e dimë nëse Kurti do të reflektojë me ‘sinjalet’ që ndërkombëtarët po i dërgojnë, por sikur këto të mos mjaftojnë, shpinën si duket atij po ia kthen edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Gjatë një vizite në New York, Osmani është takuar me presidentin amerikan, Joe Biden.

“Aleanca e lirisë, aleancë e përjetshme”, ka shkruar ajo në mbishkrimin e fotografisë ku shfaqet duke shtrënguar duart me Bidenin.

Se a ishtë ky një sinjal për Kurtin dhe qëndrimet e tij, kjo mbetet të shihet në vazhdim.

Kujtojmë, Kurti sapo kishte ardhur në pushtet, kur ishte pyetur për presionin nga ndërkombëtarët, kishte deklaruar se ‘nuk e di se çfarë është presioni nga ta’. Epo si duket tashmë i njëjti nuk do të ketë përgjigje të njëjtë rreth kësaj teme. /Lajmi.net/