Blloku kundër propozimit të Hoxhajt, për koalicionin PDK-LDK -AAK

Zyrtarë të partive të bllokut janë shprehur kundër propozimit të nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka propozuar një koalicion PDK-LDK-AAK. Ata kanë thënë se nuk do të ketë ndryshim të marrëveshjes mes partive opozitare.

Lajme

04/10/2014 16:22

Partitë e bllokut LDK-AAK-Nisma kanë kundërshtuar propozimin e nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili ka propozuar një koalicion PDK-LDK-AAK, si mënyrë për të kaluar krizën politike.

Zyrtarë të LDK-së dhe AAK-së, kanë thënë se ata kanë bërë një marrëveshje politike dhe se propozimet nga PDK-ja i shohin vetëm dëshira të partisë në pushtet dhe tendencë për manipulim, raporton Gazeta Express.

Anëtari i kryesisë së LDK-së,Arben Gashi ka thënë se partia e tij e ka koalicionin me AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen dhe, sipas tij, nuk ka nevojë të këtë koalicione tjera. Ai ka thënë se deklaratat e nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajt janë vetëm dëshira që nuk mund të realizohen. Gashi ka thënë se nuk ka asnjë sinjal apo iniciativë qw ofron ndonjw ndryshim.

“Këto janë deklarata sa për të thënë diçka. Nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimet tona të më hershme. Koalicioni ynë është i qëndrueshme dhe s’ka asnjë dyshim në këtë. Po ashtu nuk ka asnjë sinjale për të ndryshuar ky koalicion”.

“Në kemi thënë disa herë që nuk duam të jemi në koalicion më PDK-në dhe kjo vazhdon të jetë ashtu”, ka thënë Gashi.

Edhe Ahmet Isufi nga AAK-ja ka thënë se nuk ka asnjë lëvizje drejt bashkimit të LDK-së, AAK-së dhe PDK-së. Ai thotë se bashkimi i këtyre partive nuk do të ndodhë, dhe sipas tij, deklaratat e zyrtarëve te PDK-së janë vetme manipuluese dhe dezinformuese.

“Ato janë deklarata manipuluese. Nuk ka asnjë të vërtetë në këtë çështje. Ne jemi dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pjesë e koalicionit të më hershme. Pra, pjesë e koalicionit LDK-AAK-Nsma dhe VV. Ndryshime në këtë drejtim nuk ka. Përkundrazi tani jemi vetëm më të bashkuar dhe më unikë se kurrë. Ne jemi duke punuar në kalimin e këtij ngërçi dhe në formimin e institucioneve. Nuk do të heqim dorë nga zgjedhja e kryeparlamentarit dhe Kryeministrit”, ka thënë Isufi.

Ai thotë se të gjitha deklaratat e drejtuesve të PDK-së janë vetëm dezinformim i opinionit dhe dëshira të tyre të cilat, sipas Isufit, nuk do të realizohen asnjëherë.

Enver Hoxhaj si mysafir në emisionin “Jamais Vu”, ka propzuar një koalicion mes PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, për të nxjerrë vendin nga ngërçi politik, dhe të formohet një qeveri e cila duhet të adresojë reformat më kritike për çështjet më të rëndësishme në vend” ka thënë ai.