Blerim Shala, kryeministër i pranueshëm për të gjithë?

Kosova duhet që në shtator të ndryshojë Kushtetutën për të bërë të mundur funksionalizimin e Gjykatës Speciale dhe për këtë arsye vijnë insistimet që qeveria e re të zgjidhet sa më shpejt.

Lajme

22/07/2014 00:26

Pritet që shtetet mbështetëse të Kosovës, në vijë me kërkesën e kancelares gjermane, Angela Merkel, që qeveria të bëhet sa më shpejt, të kërkojnë nga qeveria e ardhshme e Kosovës të jetë sa më gjithëpërfshirëse.

Një qeveri PDK-LDK-AAK, me një kryeministër teknik, po shihet si stabilitet i vendit. Të paktën kështu thonë burime ndërkombëtare dhe vendore për Indeksonline.

Bile tashmë po përmendet edhe emri i kryeministrit të asaj qeverie teknike.

“Derisa po flitet për tejkalimin e ngërçit politik, ndërkombëtarët na kanë sugjeruar që një qeveri teknike PDK-LDK-AAK do të ishte ‘shpëtim’ për vendin. E, kur merret parasysh edhe themelimi dhe funksionalizimi i Gjykatës Speciale, që do të merret me gjykimin e mundshëm të krimeve të pretenduara nga raporti i Dick Martyt, atëherë është shumë e besueshme që do të formohet”, ka thënë një zyrtar i lartë i Qeverisë në detyrë.

Në këto konsultime vendore-ndërkombëtare, si emër për kryeministër i cili do të ishte i pranueshëm për të tri subjektet, përmendet Blerim Shala.

E kaluara e tij politike dhe afërsia me të tria këto parti e bëjnë Shalën të pranueshëm edhe për ndërkombëtarët.

“Shala mund të jetë i pranueshëm edhe për Ramush Haradinajn, i cili po e kërkon postin e kryeministrit, pasi që do të arsyetohej se kryeministri është i AAK-së”, thotë burimi.

Nënkryetari i AAK-së ka qenë edhe pjesë e delegacionit të Kosovës në bisedimet politike me Serbinë që janë zhvilluar në Bruksel.

E pikërisht roli i tij si negociator e bën edhe më të pranueshëm Shalën për ndërkombëtarët dhe vendorët, sepse atë e shohin si politikan të rryer dhe negociator me përvojë.