Blerand Stavileci “godet” Pejën dhe Art Gashin

I pari i skuadrës së Sigal Prishtinës Blernad Stavileci, ka shfrytëzuar profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’ për të folur rreth suksesit të klubit të tij.

Lajme

22/05/2016 18:43

Ai gjithashtu ka thënë se dikush po i keqinterpreton deklarata, derisa deklaratat e Art Gashit i ka konsideruar fyerje.

“Të fitosh tituj, kupa e medalje nuk është vetëm shkencë, por është edhe art. Dikush lind kampion, dikush edhe bëhet, vetëm se duhet të jesh i zoti dhe suksesin ta bazosh ekskluzivisht në punën e madhe, të sinqertë e të ndershme, dhe asnjëherë ai të mos bazohet në intriga, spekulime, paragjykime e pandershmëri, e aq më pak mbi fatkeqësinë e tjetrit.

M’i deformuan e m’i keqinterpretuan deklaratat, ma prekën e ofenduan familjen e shoqërinë, e quajtën skandaloz një veprim timin i cili ishte reagim i natyrshëm ndaj atyre që ditë e natë ma shajnë vendlindjen e qytetin dhe nxisin dhunë e urrejtje, m’i thanë problem familjar problemit shëndetsor të babait tim e shumë e shumë shtrembërime të tjera të qëllimshme.

Iu erdh momenti edhe disa “dashamirëve” t’i bashkohen këtij krahu spekulantësh e dashakëqinjsh. E po përgjigjen tashmë e keni një paragraf më lart. Përsëri përgjigjet e mia do të jenë puna dhe suksesi. Për këto mos folni asnjëherë, sepse më interesante janë spekulimet, trillimet e etiketimet”, shkroi Stavileci.