Biznes me garazhe të “uzurpuara”

Një person i paautorizuar që 15 vjet po mban të uzurpuara rreth 300 garazhe në qendër të kryeqytetit, jo shumë larg objektit të Komunës së Prishtinës.

Lajme

23/03/2015 08:29

Garazhet që gjenden te “Qafa”, që shumica janë nëntokësore, janë të banorëve të ndërtesave në afërsi. Madje, disa prej garazheve janë në pronësi të Policisë së Kosovës.

Siç shkruan Zëri, “uzurpatori” prej vitesh e ka autorizuar veten si pronar të këtyre parkingjeve nëntokësore dhe i ka futur nën administrimin e vet pa pëlqimin e asnjë organi, dhe i ka lëshuar me qira ato. Banorët që i kanë në pronësi të veten, janë të obliguar që të paguajnë nga 5 eurp në muaj për rojën që ruan te dera.

Kryetari i Bashkësisë Lokale pqë Qendrën e Prishtinës, Shaban Kelmendi, thotë se për këtë problem disa herë i janë drejtuar Komunës.

“Para luftës ato i ka mirëmbajtur BVI-ja. Ai aty ka lëshuar edhe garazhe me qira, ato që janë në pronësi të serbëve, apo disa garazhe të tjera. Ndërkaq, shumica e banorëve duhet të paguajnë nga 5 euro në muaj. Aty mungon ndriçimi, pikon në të gjitha anët. Nuk mirëmbahen, betim merren paratë nga një person i paautorizuar që e ka zaptuar atë hapësira që nga paslufta. Në emër të banorëve i jam drejtuar më herët Komunës, por nuk kanë ndërmarrë asnjë. Tash, shpresojmë që këta tyë rinjtë e komunës do të bëjnë diçka”, thotë ai.

Por, Komuna e Prishtinës nuk është në dijeni për hapësirën publike të banorëve që jetojnë në Komunën e saj. meqë, me garazhet ka administruar ish-BVI-ja, zyrtarja për informim në Prishtinë, Miranda Mullafazliu-Bejta thotë se të dhëna më të hollësishme mund të merren në Ndërmarrjen Pronësore Banesore (NPB), pasi, sipas saj, kjo pronë është në kompetencën e tyre.

Por, Hajrush Bajraliu, udhëheqës i shërbimeve dhe mirëmbajtjes në NPB, thotë se kompania e tyre i ka shitur moti ato prona dhe se për mirëmbajtjen e tyre kanë hequr dorë që nga paslufta.

“Ato garazhe nuk janë më në pronësi tonën, të gjitha i kemi shitur meqë i patëm ndërtuar ne. Di që kanë qenë rreth 270, të gjitha i janë shitur pronarëve të ndërtesave dhe pronarëve të lokaleve tetë prej tyre janë në pronësi të Policisë së Kosovës. Pra, për ne, me rëndësi është se nuk kemi pronë tonën aty. Banorët nëse janë të pakënaqur, le të reagojnë në organet kompetente. Ne i kemi pasur në mirëmbajtje nga viti 1989 deri në vitin 1999. Aty garazhe të kontestuara mund të jenë vetëm ato që kanë qenë në pronësi të serbëve. I kemi mirëmbajtur deri para luftës, por hoqëm dorë se nuk patëm leverdi më”, thotë Bajraliu.

Sipas Zërit, janë rreth 70 garazhe në pronësi të serbëve.