Bernard Nikaj: 4 mijë vende pune në projektin e Brezovicës

Në qershor priten që të shpallen fituesit e projektit Zhvillimorë për Brezovicën. Kështu ka paralajmëruar Bernard Nikaj, ministër i Tregtisë dhe Industrisë i cili tha se në muajin maj do ti presin ofertat.

Lajme

23/03/2014 23:11

“Në qershor besojmë se do ta zgjedhim kontraktuesin, ndërsa në shtator do ta kemi kontratën finale, nëse gjithçka shkon si duhet”, ka thënë Nikaj.

Ai për RTK-në ka dhënë edhe disa detaje në lidhje me kontraktuesin i cili do ta fitojë projektin për Brezovicën.

Nikaj ka thënë se fituesit e këtij projekti do të kenë edhe një qira vjetore. RTK mëson se qiraja vjetore do të jetë 100 mijë euro, mirëpo këtë nuk e ka konfirmuar Nikaj.

“Kjo shumë është ende në diskutim, mirëpo ne do të kërkojmë që ta paguajnë edhe qiranë. Fokusi është më i madh tek efektet e punësimit”, ka thënë Nikaj.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, ka bërë me dijë se nga ky projekt do të punësohen rreth katër mijë persona.

Ndryshe, nesër do të mbahet konferenca para-ofertuese për Projektin e Brezovicës, me investitorët e huaj të parakualifikuar.

(KosovaPress)