Berisha: Enver Sekiraqen e kam parë vetëm në televizion

Në ditën kritike kur ishte vrarë polici Triumf Riza, Kaltrina Berisha ia kishe dërguar një mesazh të dashurit të saj, Rrahman Avdullahut me fjalët: “Loçkë, kush e vrajti Triumfin bre?”.

Lajme

22/11/2014 08:47

Këtë mesazh ajo e kishte dërguar më 30 shtator në orën 16:45 minuta, pak çaste pas vrasjes së Rizës. Të njëjtin mesazh, prokurori Andreë Carney e ka lexuar të premten në seancë gjyqësore, ku po gjykohet Enver Sekiraqa, i akuzuari i fundit për vrasjen e ish-policit, Triumf Riza.

Bashkëshorti i saj, Rrahim Avdullahu është edhe djali i hallës së Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për pjesëmarrje në vrasjen e Rizës.

Dëshmitarja Berisha e ka pranuar se ai mesazh dhe disa të tjerë që u lexuan prej prokurorisë ishin dërguar prej saj te Avdullahu, e që në atë kohë e kishte pasur vetëm të dashur, shkruan Koha Ditore.

Më tutje, prokurori ka lexuar një mesazh të radhës që dëshmitarja ia ka dërguar disa minuta më vonë Avdullahut me fjalët “Prej tutës e kam unë se për kurgjo tjetër loçkë”.

“Pse u tute ti?”, pyet Carney. Ndërsa, Berisha përgjigjet se nuk kishte lidhje se çfarë po ndodhte. Ajo tha se Enver Sekiraqen e kishte parë vetëm në televizion.