Beogradi shtyn fillimin e punës së gjyqësorit në Mitrovicë

Ndonëse gjithçka ishte gati për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes për Gjyqësorin e Integruar më 10 janar, por sikur herëve të tjera, edhe tani kjo marrëveshje e arritur në Bruksel ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nuk do të fillojë sot.

Lajme

10/01/2017 08:23

Marrëveshja është shtyrë për një datë tjetër, pasi tek gjyqtarët dhe prokurorët serbë ka ndërhyrë Beogradi, duke mos ua zgjidhur çështjen e tyre nga drejtësia në Serbi, shkruan sot, gazeta Zeri.

“Ne jemi gati, ndërtesa është gati, ndarja e hapësirave ka përfunduar dhe besoj se edhe gjyqësori ka kryer punën e vet. Jemi të gatshëm të fillojmë më 10 janar 2017”, ka siguruar Shyqyri Syla, kryetar i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Njëjtë kishte thënë edhe gjyqtarja Jelena Krivokapiq, e cila punon në kuadër të sistemit serb të drejtësisë, por ajo kishte paralajmëruar se gjyqtarët dhe prokurorët serbë kanë probleme me sistemin e drejtësisë së Serbisë, për shkak të statusit të pazgjidhur të tyre.

“Gjyqtarët serbë që duhet të integrohen dhe që do të fillojnë punën më 10 janar janë duke pritur që të zgjidhet statusi i tyre në kuadër të sistemit serb të drejtësisë. Gjykata nuk mund të nisë me punën në kuadër të gjyqësorit të integruar, nëse gjyqtarët nuk do të jenë të kënaqur me zgjidhjen që u bëhet lidhur me statusin e tyre, nga ana e Serbisë”, ka thënë Krivokapiq para disa ditësh.
Dhe ashtu siç kishte paralajmëruar ajo, zbatimi i Marrëveshjes për Gjyqësorin e Integruar është shtyrë për një datë tjetër./Zeri.info/