Beogradi nuk do t’i dorëzojë të kërkuarit e Interpol-it, për krime lufte në Kosovë

Ministri i Punës në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se nuk do të dorëzojnë të kërkuarin e Interpolit për krime lufte në Kosovë, ish shefin për siguri në Korpusin e Prishtinës, gjatë kohës së okupimit, Momir Stojanoviq.

Lajme

26/02/2015 14:57

Prokuroria Speciale e Kosovës në krye me një prokuror të EULEX-it e ka dorëzuar një urdhërarrest në Interpol për kapjen e 17 personave të cilët dyshohet se kanë qenë pjesëmarrës në krime ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, në mesin e të cilëve gjendet edhe Stojanoviq.

Mirëpo, Beogradi zyrtar ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet kësaj kërkese. Vulin ka thënë se nuk do të lejojnë që këta persona të akuzuar në krye me Stojanoviqin, të gjykohen në Gjykatën e Gjakovës, pasi që, sipas tij, Serbia nuk i njeh këto institucione.

“Serbia pranon vetëm Rezolutën 1244. Kjo listë e të kërkuarve nuk është bërë rastësisht, ashtu qysh nuk është e rastësishme edhe koha dhe vendi i gjykimit”, ka thënë Vulin për Tanjug, transmeton lajmi.net.

Interpoli ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për deputetin e Partisë Progresiste Serbe në Kuvendin e Serbisë, Momir Stojanoviq dhe 16 serbë të tjerë, nën dyshimin për kryerjen e krimeve ndaj popullatës civile shqiptare, në prill 1999.