BE shumë e zhgënjyer nga dështimi i negociatave mbi Maqedoninë

Bashkimi Evropian është shumë i zhgënjyer nga sjellja e disa palëve në përfundim të negociatave të përqendruara në zgjidhjen e krizës së thellë politike që ka goditur Maqedoninë dhe të cilat ishin të pasuksesshme, deklaroi komisioneri evropian për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Lajme

12/06/2015 16:48

“Asnjë marrëveshje, për momentin, për vazhdimin e negociatave përsa i përket ish-Republikës jugosllave të Maqedonisë”, theksoi komisioneri në një mesazh në rrjetin social Tweeter.

“Jam shumë i dëshpëruar nga mungesa e përgjegjësisë dhe lidershipit të disave”, shtoi ai, pa dhënë shumë detaje.

Drejtuesit maqedonas kishin rënë dakord për organizimin e zgjedhjeve legjislative të parakohshme para fundit të muajit prill 2016, dy vjet para afatit kushtetues katër vjeçar.

Negociatat e organizuara në Bruksel, në të cilat morën pjesë drejtuesit kryesorë të vendit, do të mundësonin zgjidhjen e detajeve të zgjedhjeve si dhe reformave të detyrueshme.

“BE-ja u kërkon të gjitha palëve, në interes të vendit të tyre dhe qytetarëve, të arrijnë një kompromis politik të qendrueshëm, pa afat”, theksoi BE në një komunikatë në përfundim të negociatave, transmeton ATSH.