Basha, thirrje Ramës: Voto reformën me opsionet e Venecias

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një tryeze për antikorrupsionin të organizuar nga kjo parti, i bëri thirrje Edi Ramës që të votojë “reformën në drejtësi siç e kemi rakorduar me opsionet e paraqitura nga Venecia”.

Lajme

08/06/2016 12:25

“Opozita ka pranuar një nga opsionet e Venecias që ofron mekanizmat e moskapjes së drejtësisë nga politika. Nuk pranojmë asgjë më pak se kjo”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës nënvizoi se PD-ja është gati të votojë një reformë në drejtësi që garanton moskapjen e drejtësisë: “Jemi gati! Të hënën pranuam të gjitha sugjerimet e faktorit ndërkombëtar.

Dhamë garanci për ta votuar këtë paketë. Kryeministri e refuzoi zgjidhjen e EURALIUS-it, OPDAT-it dhe Venecias. E refuzoi se nuk përputhet me konceptin e tij për drejtësi. E patë se kush është ky koncept. Dje kërcënoi Prokurorinë pas skandalit të përgjimit. Por nuk është kjo drejtësia që fut shqiptarët në Europë. Qeveria do një drejtësi të kapur politikisht, nuk i intereson drejtësia e pavarur”.