Basha i përgjigjet Ramës: Popullin nuk e kap dot siç ke kapur drejtësinë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka vonuar shumë t’i kundërpërgjigjet mesazhit në “Twitter” të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që komentoi mbi një artikull të publikuar në “Washington Times”.

Lajme

24/08/2018 21:51

“Ka blerë gjykatës, prokurorë, gazeta, TV dhe ambasadorë me parà droge dhe korrupsioni e nuk i dalin hesapet Ramës. Drejtësinë e ka kapur, por popullin nuk e kap dot. Kokat e krimit e korrupsionit do japin llogari para tij. Shumë shpejt.”, shkruan Basha në po të njëjtin rrjet social.

Kryeministri Edi Rama ishte shprehur më herët se, sado të paguhen artikuj nëpër botë kundër vettingut, “ne do ta pastrojmë me rrënjë drejtësinë”.

“Paguani, paguani artikuj nëpër botë kundër Vetingut! Shani e mallkoni në sa gjuhë të mundeni Reformën në Drejtësi! Na akuzoni sa të doni për imoralitet nga dritarja e shtëpisë suaj publike! Ne do ta pastrojmë me rrënjë drejtësinë s’e s’kemi frikë nga drejtësia e vërtetë”, shkruante kryeministri Rama, referuar artikullit të “Washington Times”.