Banorët e Çikatovës së Drenasit, pranojnë trupat e familjarëve të zhdukur (Video)

Haki Morina nga fshati Çikatovë e Vjetër tashmë kishte humbur shpresat se do t’i gjente eshtrat e babës, Ganiut, të vrarë në prill të 99-ës nga forcat serbe. Por, 16 vjet më pas, ai tashmë do ta dijë varrin e tij.

Lajme

16/04/2015 14:07

Në Departamentin e Mjekësisë Ligjore, ku u bë pranim-dorëzimi i dokumentacionit, dhe njoftimi i familjarëve të 21 të vrarëve nga Çikatova e Vjetër, të gjetur vitin ne kaluar gjatë gërmimeve në Rudnicë të Rashkës, Morina nuk u mjaftua vetëm duke parë arkivolin në të cilin ishte trupi i pajetë i babës. Hakiu e hapi arkivolin, me shpresën se do ta shuante sado pak mallin për babën.

Gani Morina, bashkë me 20 bashkëvendës të tjerë, u vranë në masakrën e prillit të vitit 1999 në Çikatovë të Vjetër, komuna e Drenasit.

Ai pothuajse kishte humbë shpresat që ndonjëherë do të gjente trupin e pajetë të babës së tij.

“Ma lehtë po ndihemi, se qe 16 vite i kemi kujtua, i kemi mbajt përvjetorin e tyre, por pa trupat e tyre e kemi pas mërzinë më të madhe. Tash e kemi një lehtësim”, thotë ai.

11100165_928612253856690_1624590978_n

Në mesin e 21 rasteve të kthyera nga Rudnica e Rashkës, ishte edhe Tahir Morina nga Çikatova e Vjetër. Kur u vra, ai ishte 48 vjeç. Pas vetes la gruan dhe djalin, që asokohe ishte 17 vjeçar.

E veja e Gani Morinës thotë se tani po ndihen më mirë dhe se gjetja e trupit të bashkëshortit, i bën të ndjenjë një lehtësim pas 16 vitesh.

Ajo nuk shpresonte që do ta gjenin ndonjëherë.

”Jo valla, thonim ku kemi me i gjet ma, qe 16 vjet”, thotë ajo.

11160503_928612203856695_734051333_n

Drejtori i Departamentit të Mjeksisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, tha se nuk do të ndalen së kërkuari edhe më tutje të zhdukurit e luftës.

“Ne nuk do të ndalemi së kërkuari, sepse në këto regjione dhe regjione të tjera të Kosovës mungojnë edhe më tutje, dhe së shpejti ne do të shkojmë t’i kërkojmë edhe dy vend-lokacione tjera, do të bëjmë vlerësimet gërmues, me ekipin e EULEX-it dhe stafin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore”, deklaroi shefi i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Rivarrimi i këtyre 21 rasteve të Çikatovës së vjetër do të bëhet nesër, 17 prill, në fshatin Çikatovë e Vjetër, në komunën e Drenasit.

YouTube player