Bahtiri vlerëson angazhimin e zjarrfikësve shqiptarë dhe serbë

Janë lokalizuar me sukses dy zjarret e fuqishme që përfshinë të shtunën dhe të dielën mbi 100 hektarë pyje, në dy lokacione të ndryshme të Komunës së Mitrovicës.

Lajme

08/08/2017 11:54

Zjarri përreth Kodrës së Cërnushës në fshatin Kqiq kishte rrezikuar edhe shtëpitë e disa lagjeve në këtë fshat dhe vetëm falë angazhimit dhe mobilizimit të madh të njësive të zjarrfikësve, por edhe të vetë qytetarëve, shtëpitë janë shpëtuar pa i përfshi zjarri.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, kanë qenë të angazhuar maksimalisht në organizimin e operacionit dhe marrjen masave për lokalizimin e zjarreve dhe shpëtimin nga zjarri të shtëpive të banuara. Ata e kanë menaxhuar situatën vazhdimisht nga afër.

Në operacione për shuarjen e zjarreve kanë qenë të angazhuar dhjetëra zjarrfikës me automjetet e tyre nga Mitrovica Jugore, Mitrovica Veriore, Skenderaj dhe Zveçani. Operacionet ishin të organizuara mirë dhe ekipet funksionin suksesshëm. Ishin të angazhuar në shuarjen e zjarreve edhe një numër i madh i banorëve që jetonin përreth zonave të përfshira nga zjarri.

Duke vlerësuar angazhimin maksimal dhe punën e madhe që kanë bërë në lokalizimin e zjarreve dhe evitimin e pasojave të rënda që kanë mundur të ndodhin, kryetari i Komunës, Agim Bahtiri falënderon të gjithë zjarrfikësit që kanë marrë pjesë në operacion dhe banorët e fshatrave përreth.

Bahtiri në veçanti vlerëson lartë bashkëpunimin e zjarrfikësve shqiptarë dhe serbë, të cilët u angazhuan maksimalisht dhe me përkushtim për shuarjen e zjarreve që kishin rrezikuar shumë shtëpi shqiptare që gjendeshin përreth zonave ku ato ndodhën.

Ai në vazhdim thotë se ky është një shembull i mirë se si mund të bashkëpunohet dhe të organizohen shërbime të përbashkëta të komunave në dobi të qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.