Babi i ish-imamit të vrarë në Siri, tregon bisedën e fundit më djalin e tij

Xhavir Daci, babai i Almir Dacit, ish-imamit të xhamisë së Leshnicës, Pogradec, të akuzuar si një nga terroristët e ISIS-it në Siri, dëshmoi dje te Krimet e Rënda bisedën e fundit me djalin e tij para se të vritej në frontin e luftës.

Lajme

10/06/2016 08:26

Xhihadisti Daci rezulton të jetë vrarë disa javë më parë në frontin e luftës në Siri, por procesi penal ndaj tij vijon për shkak se Gjykata për Krimet e Rënda nuk ka një konfirmim zyrtar për vdekjen e tij.

Ai u bë i njohur dhe për disa video të publikuara në You- Tube, ku kërcënonte Shqipërinë për terror dhe sulme me eksploziv. Në sallën e gjyqit, dëshmitari 77-vjeçar Xhevahir Daci tha se prej tri vitesh nuk ishte parë me djalin e tij. Sipas tij, pas shkarkimit nga detyra si imam i xhamisë së Leshnicës, Almir Daci kishte ikur për të punuar në Arabi.

Për vrasjen e të birit në Siri, dëshmitari tha se e kishin mësuar nga një telefonatë e nuses së djalit, e cila ndodhet po në Siri bashkë me dy fëmijët e mitur të çiftit. Në seancën e djeshme dëshmoi edhe Bujar Hysa, në cilësinë e të bashkëpandehurit në një procedim të lidhur. Hysa, i dënuar disa javë më parë me 18 vjet burg për “terrorizëm”, rrëfeu njohjen e tij me Almir Dacin.

“Almiri ka tre vjet i larguar. Unë kam qenë në Greqi me djalin tjetër kur ai ka ikur nga Shqipëria. Almiri më telefonoi dhe më tha ‘babi mos më kërkoni, se unë jam në Arabi’. Kjo ishte telefonata e fundit me të. Ai iku vetë i pari. Pas një muaji ka ardhur vëllai i bashkëshortes së tij, që ka marrë edhe të shoqen e Almirit. Vdekjen e djalit e kemi mësuar nga nusja e tij. Para një muaji, e shoqja e Almirit ka marrë në telefon gruan time dhe i ka thënë që Almiri është vrarë. Ata janë fetarë, edhe Almiri, edhe gruaja e tij, dhe nuk i thonë të gjitha fjalët. Nusja i ka thënë gruas sime që pas katër muajsh do të tregojë më gjatë. Tani për tani i ka thënë vetëm që ka vdekur”, tha 77-vjeçari.

Sipas tij, para se të largohej Almiri ishte imam në xhaminë e Leshnicës në Pogradec. “Atë e nxorën nga xhamia pasi ai nuk fali Bajramin në datën që thoshin të tjerët, por të nesërmen. Ata i prenë rrogën dhe e lanë pa punë dhe pa bukë për fëmijët. Madje, çelësat e xhamisë kanë ardhur dhe i kanë marrë aty në shtëpi. Kur më mori në telefon, më tha që ishte në Arabi për punë”, tha dëshmitari. Ai tregoi edhe faktin se krushku i tij, vjehrri i Almirit, i kishte shkuar në shtëpi për kafe ngushëllimi, shkruan “Panorama”.

Ndërsa,  dëshmitari Buajr Hysa u shpreh se për vdekjen e Dacit ka dëgjaur nga disa miq të tij dhe në TV.

“E njoh Almir Dacin. Ai është vrarë në Siri, është shumë e sigurt. E kam dëgjuar në TV, por edhe më kanë thënë miqtë me të cilët kam komunikuar përmes telefonit. Gjyq për të vdekurit në këtë vend veç në kohën e Enverit ka ndodhur. Almirin e kam njohur në një biznes që unë kam pasur në Rrugën e Kavajës. Ai ishte besimtar. Nuk e di sesi ka ikur në Siri. Kam komunikuar me të në ‘Facebook’. Në bisedat që kam bërë me Almirin kemi folur për situatën në Siri, për vrasjet e njerëzve të pafajshëm që bëjnë ushtarët e Basharit, për përdhunimet e motrave myslimane që bëjnë ushtarët e Basharit. Ja, për këto kemi folur. Almiri shkoi në Siri për të ndihmuar vëllezërit myslimanë, për të luftuar kundër Basharit”, tha Bujar Hysa.