Arrestohet ‘Daja i Ramiz Lladrovcit’ që e kërcënonte me jetë Xhavit Drenorin

Një person që kishte kërcënuar me jetë ish-kandidatin për kryetar të komunës së Drenasit, Xhavit Drenorin është arrestuar nga Policia e Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar vetë Drenori i cili ka falënderuar Policinë e Kosovës.

Lajme

04/07/2018 20:32

Drenori ka thënë se personi që e kishte kërcënuar me jetë kishte përdorur emra të rrejshëm përmes rrjeteve sociale ku ishte prezantuar edhe si daja i kryetarit të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcit.

“Falënderoj Policinë e Kosovës për identifikimin, intervistimin dhe thirrjen para përgjegjësisë të këtij tipit i cili nga tre profile me emra të ndryshëm (të rrejshëm) me kanosej me jetë, madje duke u thirrur edhe si daja i Kryetarit Lladrovci. (Ky i fundit ishte njoftuar nga unë për këtë rast)”.

“Sot zyrtarisht nga Policia u njoftova se kundër këtij personi, i cili del të jetë një qytetar i lagjes Zogu nga Komorani, është ngritur Kallëzim Penal në Prokurinë Themelore në Prishtinë nga Policia e Kosovës. Rasti kishte ndodhur në janar të këtij viti dhe pas lajmërimit në Polici të rastit, kjo e fundit sipas procedurave të Njësitit të Krimeve Kibernetike me vendim të Gjykatës përkatëse u janë drejtuar autoriteteve të rrjetit social Facebook në SHBA për qasje në profilet e kërcënuesit”.

“(Le të shërbej si mësim për çdo kërcënues se Policisë vetëm kohë i duhet për të identifikuar çdo manipulues që kërcënon në rrjete sociale)”, ka shkruar ai.
Me tej ai ka thënë se kërcënimet dhe shantazhet e tilla i kanë vështirësuar atij rrugëtimin e tij politik.

“Ky rast dhe raste tjera të kërcënimit dhe shantazheve të ndryshme, që përjetova gjatë veprimtarisë politike, kuptohet që me kanë vështirësuar rrugën e qëllimit tim që t’i ndihmoj demokratizimit të shoqërisë në Komunën tonë, por asnjëherë të arrijnë qëllimin e tyre për të me ndalur apo zmbrapsur në këtë mision të shenjtë që i kishim vënë vetes me ekipin time”, ka shkruar ai.