Arrestohen dy kontrabandues të pjesëtarëve të komunitetit RAE

Nëntë persona të komunitetit egjiptian ia kishin mësyrë sot shteteve të Bashkimit Evropian. Por atyre u mbeti udhëtimi në gjysmë, pasi që largimin nga Kosova kishin dashur ta bënin pa dokumentet përkatëse.

Lajme

29/09/2014 19:42

Nëntë persona, katër prej tyre të rritur dhe pesë fëmijë, i kishin dhënë nga 500 euro personit N. H., egjiptian, 1991, vetëm për t’i dërguar deri në Nish, e më pastaj të vazhdojnë rrugën për në Hungari.

Policia e Kosovës njofton se ata janë kapur të hënë rreth orës 09:20, në vijën dalëse të pikëkalimit kufitar Dheu i Bardhë, që lidh Republikën e Kosovës me Serbinë, ku pas operacionit të realizuar me qëllim të parandalimit të migrimit ilegal, kanë arrestuar personin me inicialet N. H. për ‘kontrabandim me migrant’.

“Personi i dyshuar është ndalur në vijën dalëse duke drejtuar veturën e tij kombi Mercedes me targa –KS, në të cilën gjendeshin edhe nëntë (9) persona, te gjithë nga komunitet egjiptian i Kosovës, prej të cilëve katër të rritur dhe pesë fëmijë, që dyshohet të jenë viktima të kontrabandimit”, thuhet në një njoftimin e PK-së.

Policia njofton se janë intervistuar viktimat e moshës madhore, të cilët deklarojnë se qëllimi përfundimtar i udhëtimit të tyre ka qenë që të dalin në vendet e BE-së.

Policia njoftoi se sot është arrestuar edhe B. L., i cili dyshohet se me qëllim të përfitimit material ka bërë kontrabandimin e shtetasve kosovarë, kryesisht të komunitetit rom, atij egjiptian dhe ashkali në drejtim të vendeve të BE-së.

Migrimi i pjesëtarëve të minoritetit të komuniteteve rom, egjiptian dhe ashkali ka pasur rritje të theksuar kohëve të fundit dhe për këtë arsye Policia Kufitare është mobilizuar dhe ka ngritur vigjilencën për parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, si dhe zbulimin e arrestimin e të dyshuarve potencialë për kontrabandë me migrantë.