Arrestime në Prevallë

Nisma për rrënimin e ndërtimeve pa leje në Parkun e Prevallës është përcjellë edhe me arrestime. Ministri Dardan Gashi ka njoftuar se arrestimet kanë ndodhur pasi pronarë të objekteve u kanë rezistuar rrënimeve.

Lajme

18/10/2013 17:20

Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona të cilët kanë kundërshtuar rrënimet e ndërtimeve pa leje në Prevallë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka thënë për KosovaPress se rrënimi i nisur sot në parkun e Prevallës është bërë pasi që aty është uzurpuar toka e shtetit dhe se ka ndodhur një degradim i skajshëm i asaj pjese të natyrës.

“Fatmirësisht një pjesë e qytetarëve kanë filluar të bashkëpunojnë dhe kanë filluar t’i largojnë vetë, disa të tjerë kanë rezistuar. Me ta është marrë policia. Me dijeninë time, janë arrestuar disa prej tyre, tash me ta do të merret gjyqësia”, ka thënë Ministri Gashi, për KosovaPress.

Objektet e ndërtuara atje nuk kanë pasur as rrjet të kanalizimit të ujërave të zeza, as rregullim të mbeturinave.

Në zonën më të mbrojtur në Kosovë, Ministri Gashi ka thënë se kanë ndodhur degradimet më të mëdha.

Deri më tani ka pasur disa herë raportime të mediave ku thuhet se objektet e ndërtuara në këtë park të Maleve të Sharrit janë kryesisht vila të pushtetarëve.