Arrest shtëpiak për Elvis Rroshin

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi.

Lajme

16/06/2016 12:41

Kryebashkiaku i Kavajës dyshohet se ka shkelur ligjin për dekriminalizimin. Burimet e prokurorisë kanë bërë me dije se “Rroshi dyshohet të ketë falsifikuar dokumentet, pasi në formularin e vetëdeklarimit ka fshehur të dhëna që tregojnë se ai ka qenë i dënuar në shtetin italian”.

Pas caktimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Tirës, avokati mbrojtës i Rroshit, Theodori Sollaku, ka deklaruar se “klienti i tij nuk ka qenë dakord me këtë masë. Ai ka theksuar se vendimin do ta apelojnë.

Por sipas prokurorisë, Rroshi në formularin e dekriminalizimit nuk ka shënuar në 4 raste dënimet dhe dëbimet nga Italia e Zvicra si dhe ka përdorur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Në njoftimin e prokurorisë thuhet se Rroshi ka pasqyruar të dhëna të rreme në rubrikat 1, 5 dhe 7 të formularit të vetëdeklarimit.

Nga provat e sjella nga EUROPOLI dy ditë më parë, kreu i bashkisë së Kavajës njihet me 5 emra, si Elvis Rroshi, Ervin dhe Enver Rroshi, Bashkim Hallulli dhe Enver Proshi. Të pesë këto emra, ai i ka përdorur në vende të ndryshme të Evropës, emra për të cilët edhe është proceduar penalisht.

Elvis Rroshi, dyshohet për konsumimin e veprës penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në plotësimin e formularit të “Dekriminalizimit”, parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal.