Arma e vrasjes në ndërtesë të AKI-së ishte pa leje

Arma të cilën i dyshuari V. I dyshohet se e  përdori  për vrasjen e viktimës I. S, në ndërtesën e AKI-së ishte pa leje.

Lajme

04/09/2018 21:31

Këtë për KALLXO.com  e konfirmoi Zëvëndës prokurori, Ibrahim Berisha.

“Sipas informatës që më ka ofruar prokurorja kujdestare arma ishte ilegale”, tha Berisha.

Në anën tjetër Policia ka bastisur shtëpinë e te dyshuarit për vrasjen sot në ndërtesën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një armë e cila mbahej pa leje.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore të Prishtinës në lidhje me kërkesën për urdhërbastisje.

Zyrtarë të Prokurorisë i thanë KALLXO.com se kërkesa për bastisje nuk ishte bërë ndërsa po pritej të bëhej gjatë ditës.

Sipas prokurorit Berisha, në bazë të hetimeve, i dyshuari pritet të intervistohet brenda 24 orëve.

“Gjatë periudhës kohore qe nënkupton brenda 24 orëve do te intervistohet dhe kallximi penal dërgohet ne prokurori për procedurë të mëtejme”, tha Berisha.