Arkitekti Bytyqi: Donacioni për Sallën Koncertale të trajtohet në mënyrë dinjitoze, mos të dëmtohet arkitektura

Ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” cilësohet si objekti ikonë i historisë së Komunës së Prishtinës. Mirëpo, javët e fundit është duke u diskutuar rrëmimi i objektit në fjalë për t’u ndërtuar Salla Koncertale, e kërkuar nga komiteti artistik.

Lajme

04/10/2018 21:12

Arkitekti Arianit Bytyqi, vlerëson se nuk duhet bërë ndryshimi arkitektonik i këtij objekti, njëjtë siç nuk është dashur të bëhej ndryshimi i Pallatit të Mediave, Fakultetit Filozofik dhe objekti i ish-hotelit Iliria, në Prishtinë.

“Mendoj se para se të flasim se ku duhet të jete Salla Koncertale, Kompleksi Shtetëror, Muzeu i Artit Bashkëkohor apo Muzeu i Pavarësisë që kane dalë si ide nga komiteti artistik, por edhe nga liderët institucional, mendoj se çështja duhet të trajtohet përmes dokumenteve të Planifikimit Hapësinor, që realisht në Prishtinë dhe jo vetëm në Prishtinë, por edhe nga komunat tjera nuk është trajtuar në mënyrën meritore. Përcaktimi i lokacioneve të këtyre objekteve duhet të ishte pjesë e një procesi më gjithëpërfshirës që do të trajtohet përmes hartimit të dokumenteve të Planifikimit Hapësinor, siç është Plani Zhvillimor Komunal kur do të përcaktoheshin pas një analize, pas komunikimit me komitetin artistik dhe grupeve tjera të interesit”, tha ai për RTK-në.

Bytyqi kërkoi nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës që donacioni i Komisionit Evropian për Sallën Koncertale të trajtohet në mënyrë dinjitoze, duke mos u dëmtuar arkitektura e objektit ekzistues, nëse vendoset për lokacionin në fjalë.

Por, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, thotë ky objekt nuk është e as nuk ka qenë pronë e Komunës së Prishtinës, por vetëm një ndërmarrje shoqërore që është përdorur për objekte qeveritare.

“Në kohën e Qeverisë Mustafa është marrë një vendim për ta shpronësuar për interesa të Republikës së Kosovës, për ta përdorë Qeveria e Kosovës. Tashmë e kemi një temë tjetër që ka të bëjë me sallën koncertale dhe është shtru pyetja se ku duhet të jetë lokacioni i Sallës Koncertale, por jo edhe i Sallës së Operës dhe Baletit sepse është institucion i nivelit qendror. Mirëpo Komisioni Evropian ka shprehur gatishmërinë që t’i investojë përafërsisht 15 milion euro në Sallën Koncertale të Prishtinës dhe kërkesa e tyre ka qenë që të jetë një lokacion qendror”, tha Ahmeti, duke shtuar se komuna e ka shqyrtuar mundësinë që lokacioni të jetë ai përballë Teatrit Kombëtarë, pasi që Instituti për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore nuk e ka shtëpinë e mallrave në listën e tyre për mbrojtje

Ai tha se ka shpresuar se ky reagim që po bëhet për shtëpinë “Gërmia” të ishte bërë edhe për objektet tjera që ndryshuan arkitekturën dhe funksionin e tyre, në Komunën e Prishtinës.

Ahmeti në një intervistë për RTK-në, thotë se janë të gatshëm t’i shqyrtojnë edhe opsionet tjera për lokacion, por që një vendim duhet marrë shumë shpejt pasi që sipas tij, donacioni nga KE nuk pret me vite të tëra. Ai shtoi se emrat e referencës janë përgatitur në bashkëpunim me shoqatën e Arkitektëve të Kosovës, ku pastaj do të hapet një konkurs ndërkombëtar për dizajnin e objektit.

Ahmeti paralajmëroi debat publik ku gjithë arkitektët do të mund t’i shprehnin qëndrimet e tyre, lidhur me çështjen e lokacionit. /Lajmi.net/