Anulimi i seancën të “Grupit Kumanova”, avokatë mbrojtës dyshojnë për skenar

Avokatët mbrojtës, gazetarët dhe familjarët e të akuzuarve sot u ndaluan para dyerve të Gjykatës Supreme që të hyjnë në seancën ku duhej të mbahet seanca për ngjarjet e Kumanovës 9-10 maj,

Lajme

31/05/2016 13:48

Lojë të pakuptimtë dhe arsyetime qesharake. Kështu e kanë cilësuar avokatët e palës mbrojtëse anulimin e seancës së sotme gjyqësore për “grupin e Kumanovës”.

“Sot u anulua seanca me një sqarim qesharak. Sepse, gjoja nuk paska pasur prezencë të palës mbrojtëse- avokatëve. Edhe ju jeni dëshmitarë se ne jemi para gjykatës dhe nuk po na mundësohet të hyjmë dhe të marrim pjesë në këtë seancë. Çka fshihet pas kësaj. Çfarë skenari është, besoni edhe ne nuk e dimë. Ne do të kërkojmë llogari prej kryetarit të Gjykatës Themelore Shkupi 1, dhe do të marrim një sqarim më adekuat që të kuptojmë se cka po ndodh?!”, është shprehur avokati mbrojtës Mefail Asllani, raporton Portalb.

Ai thotë se presin sqarim edhe nga Ministria Drejtësisë.

“Siç jeni njoftuar edhe ju, vendimi për mbajtjen e kësaj seance në Gjykatën Supreme ishte i Qeverisë. Presim përfaqësuesit e Qeverisë, apo ministri i Drejtësisë të japin sqarime se çka po ndodhë”, deklaroi Asllani.

Për avokatin tjetër mbrojtës, Shasivar Iseni veprimi i sotëm i gjykatës është një lojë e pakuptimtë.

“Gjithë ata që duhet ta organizojnë këtë gjykim rrinë pinë kafe. Kompetenca për të siguruar këtë gjykim është e kryetarit të gjyqit. Kryetarit nuk i bëhet vonë. Ndërkaq, organet kompetente si Këshilli gjyqësor, Kuvendi dhe ministri i Drejtësisë duhet të marrin vendim për ta shkarkuar kryetarin e gjyqit, për shkak se tallet me të burgosurit, që mbesin 12 orë pa ngrënë, pa pijë … Unë kërkoj përgjegjësi nga kryetari i gjyqit, ministri dhe kryeministri”, tha Iseni.

yu

Iseni nënvizon se Ministria e Drejtësisë ka kompetenca të ngrejë procedurë për shkarkimin e kryetarit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 dhe këtë punë duhet ta bëje.

“Organizimi i seancës dhe kushtet për mbajtjen e gjykimit janë nën kompetencë të kryetarit të gjyqit”, theksoi Iseni.

Edhe familjarët e të akuzuarve ndihen të lodhur dhe të manipuluar me anulimet e njëpasnjëshme.

“Shteti po luan me këtë popull. Na malltretojnë kot. Ne vijmë dhe seanca prapë shtyhet. Na kanë gënjyer disa herë. Nuk e di çka mendojnë këta …”, tha mes tjerash Fejzulla Latifi, familjar.

Nga ana tjetër Vilma Ruskovska, prokurore e rastit, deklaroi se përfaqësuesit e Prokurorisë dhe të akuzuarit ishin në sallë, por për shkak mungesës së avokatëve gjykatësja anuloi seancën për më 6 qershor.

Ndryshe, nga Gjykata Themelore Shkupi 1 me anë të një kumtese thonë se Gjykata Supreme nuk ka respektuar vendimin e Qeverisë që seanca të zhvillohet në hapësirat e Gjykatës Supreme.

ter

“Policia e gjykatës nuk ka lejuar avokatët mbrojtës, gazetarët dhe familjarët të hyjnë në sallë. Kujtojmë se nga ana e Gjykatës Themelore Shkupi 1 janë përmbushur të gjitha parakushtet për t’u zhvilluar seanca gjyqësore për ngjarjet e 9-10 majit në Kumanovë”, thuhet në kumtesë.