Anija e marrë peng, kërcënon marinari egjiptian: 70 mijë euro ose do t’i vë flakën

“Sot është dita e fundit të më sjellësh 70 mijë euro. Do djeg barkën, do ti ve zjarrin, po nuk mi dërgove në këto numra llogarie!”. Kjo është një prej dhjetëra thirrjeve telefonike që i bën në whatsapp pengmarrësi Adel Salam, marinari egjiptian, pronarit të barkës Çelepia 2, në orën 3 të mëngjesit.

Lajme

27/06/2016 15:37

Në audio dëgjohet edhe zëri i marinarit Mema që lutet për ndihmë pasi barka ndodhet në mes të detit.

Flori Çelepia në një intervistë për News24 deklaroi se kontaktet janë të shumta me pengmarrësin, por asnjë kontakt nuk ka me kapitenin e anijes, Dhimitër Malja, jeta e të cilit është vënë në dyshim, pasi pengmarrësi, jep disa versione të kundërta për jetën e kapitenit.

“Autoriteteve policore iu kemi vënë gjithçka në dispozicion por përveçse na marrin në pyetje nuk na japin asnjë të dhënë tjetër. Iu kemi vënë në dispozicion numrin e pengmarrësit, numrat e llogarive ku kërkon t’i hedhim nga 10 mijë euro, mesazhet zanore kërcënuese të regjistruara, por tani nuk është bërë asgjë. Pengmarrësi na shantazhon vazhdimisht dhe është i lirë”, thotë Flori Çelepia.

Djali i vetëm i familjes Malja, Damiani me lot në sy i bën apel strukturave të shtetit të ndërhyjnë për të ditur çfarë po bëhet me jetën e babait të tij. “U nis në punë, e nuk kemi asnjë informacion ku është babai? Ku ta gjej? Shteti nuk më thotë ku të shkoj e të kërkoj babanë”, apelon djali i kapitenit të anijes.

Ndërsa pronari i anijes thekson se nëse autoritet do të kishin ndërhyrë, pengmarrësi egjiptian do të ishte para drejtësisë.