Anija “Çelepia 2”, gjendet shqiptari Luan Mema (Foto)

Një ditë pas arrestimit të shtetasit Adel Salam, i akuzuar nga policia shqiptare si autori i rrëmbimit të anijes “Çelepia 2”, Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka njoftuar se në bordin e anijes është gjetur edhe shtetasi shqiptar Luan Mema.

Lajme

29/06/2016 11:00

MPJ bën të ditur se menjëherë pas marrjes së informacionit për gjetjen dhe bllokimin e peshkarexhës nga Marina egjiptiane dhe transferimin e saj në një port ushtarak në Aleksandri, Ambasada jonë në Egjipt kontaktoi me autoritetet lokale të sigurisë dhe hetimit, të cilat informuan se mes personave të ndaluar në bordin e peshkarexhës gjendet shtetasi shqiptar Luan Mema, gjendja shendetësore e të cilit paraqitet e qëndrueshme.

Ambasada shqiptare në Egjipt po kujdeset për t’i ofruar asistencën konsullore të nevojshme, si dhe në bashkëpunim me autoritetet egjiptiane, pas përfundimit të hetimit do te jap gjithë ndihmën e mundshme për kthimin e shtetasit Luan Mema në Shqipëri, shkruan TCH.

Autoritet egjiptiane janë duke punuar për gjetjen e vendndodhjes së shtetasit tjetër shqiptar, Dhimitër Malja si dhe kryerjen e të gjitha procedurave hetimore për zbardhjen e kësaj ngjarje. Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha organet e tjera të përfshira në këtë operacion shëtimi sigurojnë opinionin publik për angazhimin maksimal.

Anija e peshkimit “Çelepia 2” është zhdukur që prej 21 qershorit dhe egjiptiani Adel Salam mori përsipër pengmarrjen. Ai kërkoi 70 mijë euro në këmbim për të liruar anijen dhe dy marinarët e saj shqiptarë.

30-vjeçari egjiptian, marinar në anijen e peshkimit “Çelepia 2” i ka telefonuar një bashkëkombasi të tij, i cili punon në Portin e Durrësit duke i thënë se motopeshkatorja ndodhet në afërsi të portit të Aleksandrisë në Egjipt. Ai kërkoi 70 mijë euro, në të kundërt ai kërcënoi se do të fundosë anijen së bashku me 2 marinarët shqiptarë.

Në bordin e “Çelepia 2” në momentin e marrjes peng ndodheshin motorist Luan Mema dhe kapiteni Dhimitër Malja. Ka qenë vetë pronari i peshkarexhës Murat Çelepia ai i cili ka njoftuar kapitenerinë dhe policinë se kishte humbur çdo kontakt me ekuipazhin.