“Anestezion”, filmi që rrëfen trafikimin e organeve në Kosovë

Filmi “Anestezion” rrëfen për rrugëtimin e një personazhi të rëndomtë kosovar gjatë një kapitulli delikat në jetën e saj.

ShowBiz

09/08/2016 16:32

Një pasdite, Ajkuna, një motër medicinale në të dyzetat, që jeton e heshtur dhe në mendime, kacafytet me një dilemë të thellë, njerëzit përreth saj vazhdimisht flasin, ankohen, qeshin dhe gjithçka tjetër ndërmjet.

Ajo në fund vendos, dorëzohet te trafikantët e organeve.

Me skenar dhe regji të Noar Sahiti ky film është shfaqur jashtë konkurrencës, si pjesë e programit special “New Kosovo Shorts” në edicionin e XV të DokuFest.

Sahiti thotë për lajmi.net ideja për filmin erdhi nga dëshira për të krijuar diçka që është tërësisht kosovare, pra një pasqyrim të vetëdijes dhe disponimit të përbashkët, dhe një rrëfim që përmes rrugëtimit të personazhit kryesor prek shqetësimet dhe pasigurinë e qytetarëve të rëndomtë. Ai thotë, se është një lloj rebusi narrativ i shpërndarë në mes zbrazëtisë atmosferike dhe komunikimeve absurde mes personazheve në film.

Anestezion Foto 2

“Arsyeja kryesore pse personazhi kryesor në një rrëfim që vlon me nëntone agresive është grua vjen si rezultat i një mangësie së përfaqësimit të gruas kosovare në kontekst fuqizues, dhe si revoltë ndaj nocionit të “burrit shqiptar” si shtyllë e familjes dhe simbol i guximit e qëndrueshmërisë. Gjithashtu është kundërpërgjigje ndaj ndarjes boshtore në shoqërinë tonë ku gruaja pritet të jetë vetëm konsumator e rrallëherë shpartallues i status-kuosë”, thotë Sahiti.

Sahiti shpjegon se ka qenë relativisht e vështirë të integrohen gjithë këto probleme të shoqërisë në kaq pak minuta, por në të njëjtën kohë thotë se ka qenë edhe shumë produktive meqenëse procesi i integrimit të gjithë atyre motiveve tematike në më pak se gjysmë ore ka hapur rrugën për t’ju qepur një strukture regjisoriale të çrregullt dhe të çoroditur, që për mua personalisht është një ndër aspektet e preferuara të filmit.

“Në bashkëpunim me aktorët kemi tentuar që secila fjali në film të ketë rolin e saj qoftë duke ushqyer rrjedhshmërinë e rrëfimit, qoftë duke bërë diametralisht të kundërtën, pra shkëputjen e qëllimshme të shikuesit nga personazhi kryesor. I gjithë filmi atmosferikisht korrespondon me fjalën “anestezion”, pra me humbjen e ndjeshmërisë, shkëputjen nga dhimbja, dhe mjegullinë e plotë”, thotë ai për lajmi.net

Filmi sapo është shfaqur për herë të parë në DokuFest, e i gjithë projekti në thelb është shumë eksperimental.

Filmi është prodhim i shtëpisë filmike “Gërmia Films” në të cilin luajnë 11 aktorë, ndër ta Blerta Ismaili, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Shkëlzen Veseli, Mejreme Berisha, Nexhmije Selca, Genta Retkoceri, Qëndresë Deda, etj.

Skenari është zhvilluar në laboratorin “European Short Pitch” në Luksemburg dhe Kroaci në 2014 dhe subvencionuar sivjet nga Qendra Kinematografike e Kosovës. /lajmi.net

Anestezion foto 4