Analisti: Gylenistët të arrestohen, të ruhen marrëdhëniet Kosovë-Turqi

Mustafa Bajrami, analist dhe teolog, konsideron se personat për të cilët faktohet se kanë qenë të përfshirë në tentim-puçin në Turqi duhet të burgosen.

Lajme

16/12/2017 09:57

I ftuar në Emisionin “Jeta në Kosovë”, Bajrami tha se këta persona nuk duhet të bëhen shkas për prishjen e marrëdhënieve Turqi-Kosovë.

Bajrami foli edhe për rastin specifik të burgosjes së një shtetasi turk në Kosovë në tetor të këtij viti.

“Kosova pa mëdyshje është para një sfide. Të burgoset ky gylenist dhe të tjerë të cilët mendoj se ka, të cilët veprojnë në Kosovë dhe e shfrytëzojnë demokracinë dhe lirinë e Kosovës që ta atakojnë sistemin politik të Turqisë dhe Presidentin e Turqisë”, tha Bajrami.

Ai megjithatë konsideron se Kosova duhet të ketë kujdes në veprimet diplomatike për shkak të një mesi ku gjendet ndërmjet qëndrimeve të disa shteteve mike.

“Me një anë e kemi Turqinë, një shtet mik të Kosovës dhe në anën tjetër e kemi disa shtete të Perëndimit që e mbështesin Kosovën por që shpesh bie ndesh dhe kanë kundërthënie, pra Turqia dhe këto vende perëndimore”, tha Bajrami.

Ugur Toksoy,  i lindur në rrethinën e Hatayt në Turqi, me profesion teolog, u arrestua më datë 27 tetor, ndërsa më 28 atij iu caktua masa e paraburgimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndaj tij është tërhequr kërkesa për ekstradim nga Prokuroria e Kosovës./Kallxo.com