Analistët: Marrëveshje politike ose zgjedhje të reja

Blloku dhe PDK-ja nuk kanë ndërruar qëndrimet. Analistët politikë parashohin vetëm dy zgjidhje për të tejkaluar krizën politike. E para një marrëveshje mes tyre dhe e dyta zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Lajme

19/10/2014 20:46

Profesori universitar, Riza Smaka thotë se takimet që së fundmi kanë pasur Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj- njëra në një festë të organizuar nga Ambasada Amerikane dhe tjerta në “Darkën e Lamës” në Gjakovë- kanë qenë të rastësishme.

Ai thotë se akoma liderët nuk kanë gjetur kompromis.

“Unë nuk shoh asnjëfarë hapi drejt ndonjë konsensioni reciprok. Këto ishin dy takime të rastit, të kortezisë. Sa i përket cështjes topike për gjetjen e ndonjë zgjidhjeje për konstituimin e Kuvendit dhe pastaj për formimin e Qeverisë nuk ka”, ka thënë Smaka për RTK.

Ndërkaq, profesori Afrim Hoti thotë se Kosova ka vetëm dy zgjedhje para vetës: një marrëveshje politike në mes subjekteve ose shkuarja në zgjedhje të reja.

“Në situatën e tanishme jemi para dy zgjedhjeve, e para që të kemi një lloj marrëveshjeje mes subjekteve politike për të formuar institucionet dhe e dyta që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ndihmesa ndërkombëtare ka kuptim në ato raste kur të dyja palët kanë qëndrime apo kërkesa të mëdha respektivisht të vogla dhe në të këtë drejtim ka kuptim ndërhyrja ndërkomëtare sepse kjo do t’i afronte palët për të mbërrirë një kompromis:, ka thënë Hoti për RTK.