‘Ambasadori’, ja bisedat e koduara të shqiptarëve që trafikuan 1 ton heroinë në Itali

Policia e Durrësit arrestoi dy persona, pjesë të organizatës kriminale të drogës që u zbulua nga policia italiane në tetor të vitit të kaluar, e cila zhvilloi një aksion paralel në pesë shtete të ndryshme dhe përfundoi me arrestimin e 21 personave.

Lajme

08/05/2016 11:22

Ndërsa vijojnë kërkimet për kreun e grupit, Emiljano Hajri, i cili arriti t’i shpëtonte policisë shqiptare, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kanë arrestuar me qëllim ekstradimin drejt Italisë Hajri Ballën, 53 vjeç dhe Fortuz Hajrin, 24 vjeç, të dy nga Shijaku. Gjykata e Venecias ka nxjerrë për Hajri Ballën dhe Fortuz Hajrin urdhër arresti më 15 gusht 2015, për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe “grup i strukturuar kriminal në trafikimin e lëndëve narkotike”. Sipas hetimeve të autoriteteve italiane, ky grup kriminal i mirëstrukturuar dyshohet se brenda një viti arriti të fuste mbi 1 ton heroinë drejt Italisë, ndërsa përdorte një kod të veçantë komunikimi, që përdorej nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mediat italiane e kishin pagëzuar 24­-vjeçarin Fortuz Hajri si “ambasadori” i organizatës kriminale. Ai ishte atashuar në Itali, për të komunikuar urdhrat te drejtuesit e bazave të përpunimit dhe më pas shpërndarjes së lëndëve narkotike. Ndërsa Hajri Balla, 53 vjeç, i arrestuar nga Policia e Durrësit dyshohet se ka investuar miliona euro në rrjetin e drogës. Kokat e këtij grupi, sipas policisë italiane, ishin dy vëllezërit Altin dhe Emiljano Hajro, ndërsa i arrestuari Fortuz Hajri është kushëriri i tyre.

Dy vëllezërit, Altin dhe Emiljano Hajri, para se të shpalleshin në kërkim, njiheshin si biznesmenë të fuqishëm në Shijak, aty ku zotëronin një sërë biznesesh. Altin Hajri nga Shijaku, i cilësuar nga Guardia di Financa e Venecias si një nga kapot e organizatës kriminale që transportonte heroinë nga Afganistani drejt Italisë nuk është më në kërkim, pasi gjykata e ka pushuar çështjen ndaj tij, ndërsa vëllai i tij vijon të jetë i shpallur në kërkim nga Interpoli.

Burime nga Policia bëjnë me dije se kjo bandë kishte një kod të veçantë komunikimi, falë të cilit arritën të fusnin një sasi mjaft të madhe heroine në Itali, duke nxjerrë jashtë loje policinë italiane. Në komunikimet mes tyre banda përdorte një kod alfanumerik për të komunikuar, sikurse vepronte ushtria naziste, e cila komunikonte me kode numerike dhe më pas këto numra i përkthente në fjalë. Kjo skemë komunikimi ka futur disa herë në “kurth” edhe agjentët italianë, e cila për vite me radhë nuk arrinte të kuptonte se për çfarë flitej në bisedat e përgjuara, pasi nuk deshifronin dot kodet. /Panorama/