Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, përfshihet në negociata mes pozitës e opozitës

Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Donald Lu, është rikthyer për negociata me Lulzim Bashën, 11 ditë pas dështimit të takimit mes kryeministrit dhe kreut të opozitës.

Lajme

17/06/2016 17:49

Një dështim për të cilin, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë bëri përgjegjëse opozitën, që sipas saj nuk kishte treguar fleksibilitet për gjetjen e kompromisit për reformën në drejtësi.

Nga takimi kokë më kokë me Lulzim Bashën nuk ka asnjë detaj, por aleati kryesor i demokratëve, Fatmir Mediu la të kuptohej se po kërkohej një zgjidhje sipas Komisionit të Venedikut.

“Besoj se takimi me ambasadorin amerikan është në të njëjtën frymë me takimet e ambasadorëve të tjerë dhe shpresoj që mazhoranca të reflektojë, jo duke vënë vija të kuqe por një zgjidhje konkrete për çështjen. Për më tepër, kur dhe aktorë të mazhorancës kanë të njëjtin qëndrim me opozitën për reformën në drejtësi. E vetmja palë që nuk bie dakord e që duket se ka tendenca për kontrollin e gjyqësorit është PS”, deklaroi Mediu.

Sipas Mediut, e rëndësishme është që palët të mos shohin vetëm vijat e kuqe të Venecias. “Të gjithë kemi rënë dakord se vijat e kuqe nuk i vendos as Rama, as Basha, askush tjetër por Komisioni i Venedikut. Ky komision ka përcaktuar edhe vijat jeshile, për të treguar rrugët e gjetjes së një zgjidhjeje në rast mosmarrëveshjesh politike”, tha Mediu.

Vazhdimin e dialogut dhe zgjidhjen sipas Venecias e mbështeti të enjten edhe kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule./ Top Channel