Ambasada amerikane: Reformat në drejtësi luftojnë drejtësinë e korruptuar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shprehur zhgënjimin e saj, pasi që takimi mes kryeministrit, Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha nuk arriti një vendim përfundimtar mbi reformën në drejtësi.

Lajme

08/06/2016 19:59

Në reagimin e tyre thuhet se Qeveria shfaqi fleksibilitetin për një gjë të tillë, gjë që nuk e bëri opozita.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara mbështet përpjekjet e Qeverisë shqiptare për ta çuar draftin drejt miratimit. Do të jetë përgjegjësia e anëtarëve individualë të parlamentit të vendosin nëse duan të mbajnë sistemin e sotëm të drejtësisë të korruptuar dhe të politizuar apo nëse do ta mbështesin këtë reformë”, thuhet më tej në reagim.

Në reagimin e tyre nga ambasada amerikane kanë përmendur angazhimin e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, politikanë, shoqërisë civile dhe publiku që për 18 muaj me radhë janë angazhuar në një debat të rëndësishëm mbi reformën e drejtësisë në Shqipëri.

“Kjo reformë, të cilën e mbështesin shumica dërrmuese e shqiptarëve, mbetet një prioritet kyç për Shtetet e Bashkuara. Shtetet e Bashkuara do të punojnë për t’u siguruar që drafti përfundimtar i paraqitur në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe në Parlament, të jetë një draft i drejtë, që përfaqëson idetë më të mira të ekspertëve vendas, ekspertëve ndërkombëtarë, dhe Komisionit të Venecias”, thuhet në fund të reagimit.