Aktori Tafa nga Sarajeva: BeH urgjentisht ta njohë Kosovën

Bosnja e Hercegovina duhet që sa më parë ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe më pas të hiqen vizat ndërmjet dy vendeve, thotë aktori Ilir Tafa.

ShowBiz

15/07/2015 17:55

Bosnja e Hercegovina duhet që sa më parë ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe më pas të hiqen vizat ndërmjet dy vendeve. Kështu transmetojnë sot mediat boshnjake deklarimin e aktorit kosovar, Ilir Tafa, i njohur në Bosnjë e Hercegovinë për rolin e tij në serialin më të shikuar, Lud, zbunjen, normalan.

Duke folur për bashkëpunimin ndërkulturor ndërmjet dy vendeve, Tafa ka theksuar se një vështirësi ende e pakapërcyeshme ndërmjet dy vendeve, është regjimi i vizave si pasojë që autoritetet në Sarajevë nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Edhe pse që pesë vjet jeton ndërmjet Sarajevës dhe Prishtinës, aktori i mirënjohur kosovar në BeH, ende i duhet që për çdo tre muaj ai të nxjerrë vizë, sepse BeH ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet”, shkruajnë mediat boshnjake.

Megjithatë, mediat boshnjake shkruajnë se edhe përkundër kësaj, Tafa ka arritur një sukses të madh në rolin e Mentor Kosovës në serinë televizive, e cila ndonëse regjistrohet në Bosnjë, transmetohet edhe në vendet e tjera të ish-Jugosllavisë dhe duke u bërë seriali më i shikuar në këto hapësira të ish-federatës së dikurshme. Mediat boshnjake duke transmetuar intervistën me aktorin Tafa, theksojnë se humbës më të mëdhenj në relacionet Sarajevë-Prishtinë, janë kompanitë boshnjake, sepse këto kompani më përpara kanë qenë të pranishme në Kosovë.

Prandaj njohja e shpejtë e Kosovës është interes edhe i Bosnjë e Hercegovinës.  Tafa në këtë intervistë gjithashtu ka fajësuar Sarajevën zyrtare për mosnjohjen e Kosovës. Siç transmetojnë mediat boshnjake, Tafa ka thënë se fajet këtu i ka edhe Bosnja, pavarësisht se autoritetet janë arsyetuar me pengesat e shkaktuara nga Republika Srbska.

“Gjendja mund të ndryshojë shumë shpejt nëse BeH njeh Kosovën. Unë e di që BeH kanë shumë gjëra të përbashkëta, njerëzit mund të lëvizin lirshëm, nuk ka asnjë pengesë për heqjen e regjimit të vizave. Por, kjo nuk është çështje e qytetarëve, por e zyrtarëve shtetërorë të të dyja vendeve”, citohet të ketë thënë Tafa, transmetojnë mediat boshnjake./ Zëri