Aktakuzë ndaj pesë personave për shpëlarje të miliona eurove

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër, pesë peronave, të dyshuar për shpëlarje të parave përmes kompanive të ndryshme private. 

Lajme

29/12/2014 15:47

Pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: Nuhi Hoxha, Edmond Curri, Shahe Tahirukaj, Fisnik Kajtazi dhe Mensur Peja, bëhet e ditur në një njoftim të prokurorisë. 

I pandehuri Nuhi Hoxha dyshohet se në periudhën kohore 2006-2014, në cilësinë e pronarit të Firmës D.SH. “BIMI SHPED” dhe i autorizuar në firmat: “EDI” me pronar  Edmond Curri, “Rrufeja”, me pronare Shahe Tahirukaj, “FISI”, me pronar Fisnik Kajtazi dhe “A&E” me pronar Mensur Peja, duke e ditur se parat burojnë nga aktiviteti kriminal, pasi që veç kishte kryer veprat penale keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi, së pari i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara, e pastaj me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë se pasurisë, se tyre, i ka transferuar, mjetet monetare jashtë territorit të Republikës se Kosovës në shumën prej 2,734.708.00€.

I  pandehuri Hoxha gjithashtu në periudhën kohore 2006-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për ndonjë person tjetër, përmes përpilimit të dokumenteve te rreme, ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajtje të rreme, ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset, “Rrufeja”, “FISI”, “A&E”, me veprimet e tija, iu ka mundësuar bizneseve të tjera përfitim të kundërligjshëm, i cili është realizuar përmes shmangies nga të gjitha llojet te tatimeve, ku përfitimi për vete apo për të tjerët është në vlerë prej  674,312.79€.

Me këtë shumë është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës. Prandaj i pandehuri Hoxha dyshohet të ketë kryer veprën penale: “Shpëlarja e parave”, nga neni 32. par. 2 pika 2.1, 2.2, 2.3, 2.6 dhe 2.8, të Ligjit mbi Parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimin e terrorizmit, lidhur me veprat penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290 i Kodit Penal të Kosovës dhe “Shmangia nga tatimi’ nga neni 249 i Kodit Penal të Kosovës, si dhe veprën: “Keqpërdorimi i autorizimeve  ekonomike”, nga neni 290 par. 2 lidhur me par 1. dhe veprën penale: “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës se Kosovës. 

E pandehura Shahe Tahirukaj  dyshohet se në periudhën kohore 2007-2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për ndonjë person tjetër, përmes përpilimit të dokumenteve të rreme, në periudha të kohëpaskohshme, ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajtje të rreme, nga të cilat ka përfituar provizion kundërligjshëm, prej 3% në vlerën e secilës faturë fiktive të lëshuar.

Me këtë rast për vete ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme në vlerë prej, 18,241.21€. Po ashtu me veprimet e saja, iu ka mundësuar bizneseve të tjera përfitim të kundërligjshëm, i cili është realizuar përmes shmangies nga të gjitha llojet te tatimeve, ku përfitimi për të tjerët është në vlerë prej  401,314.42€,vlera e përfitimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër është, 419,555.63€. Me këtë shumë është dëmtuar buxheti i Republikës se Kosovës. Prandaj e pandehura Tahirukaj dyshohet të ketë kryer veprat penale: “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”, nga neni 290 par. 2 lidhur me par. 1 i Kodit Penal të Kosovës, “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”, nga neni 314 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Shmangie nga tatimi” nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1, të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

I pandehuri Nuhi Hoxha dyshohet se në përudhën kohore 2009-2013, personalisht dhe përmes firmës së tij D.SH. “Bimi –Shped”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave  apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, ka dhënë të dhëna të pavërteta, ku ka deklaruar një qarkullim  më të vogël, se sa qarkullimi real, duke u shmangur nga tatimi në vlerë prej 30.174.13€. Me këtë shumë është dëmtuar buxheti i Republikës se Kosovës. Prandaj, i pandehuri Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale: “Shmangie nga tatimi” nga neni 249 par. 2 lidhur me par 1,të Kodit Penal të Kosovës.

Gjithashtu, të pandehurit Shahe Tahirukaj dhe Nuhi Hoxha në bashkëkryerje dyshohen të kenë kryer veprën penale: “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm për të pandehurit.

Të pandehurit: Nuhi Hoxha dhe Edmond Curri dyshohen se në përudhën kohore 2007- 2008, përmes firmës D.P.H. “EDI” me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, deklarojnë një qarkullim  më të vogël, se sa qarkullimi real i biznesit në fjalë, duke bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 187,083.10€. Me këtë shumë e dëmtojnë edhe buxhetin e Kosovës. Prandaj, të pandehurit Hoxha dhe Curri dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale: “Shmangie nga tatimi” nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm për të pandehurit.

Të pandehurit: Nuhi Hoxha dhe Fisnik Kajtazi dyshohen se në përudhën kohore 2007- 2008, përmes firmës N.T.SH., “FISI”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, deklarojnë një qarkullim  më të vogël, se sa qarkullimi real i biznesit në fjalë, duke bërë shmangie nga tatimi në vlerë prej 393,178.72 €. Me këtë shumë gjithashtu e dëmtojnë buxhetin e Kosovës. Prandaj të pandehurit Hoxha dhe Kajtazi dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1, të Kodit Penal të Kosovës, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm për të pandehurit.

Të pandehurit: Nuhi Hoxha dhe Mensur Peja dyshohen se gjatë vitit 2007, përmes firmës “A&E”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera të përcaktuara me ligj, deklarojnë një qarkullim  më të vogël, se sa qarkullimi real i biznesit në fjalë, duke u shmangur nga tatimi në vlerë prej 86,478.82€. Me këtë shumë gjithashtu e dëmtojnë buxhetin e Kosovës.Prandaj të pandehurit në bashkëkryerje, dyshohen të kenë kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Kosovës, lidhur me nenin 31 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit, për veprat penale që akuzohen, të shpallen fajtor dhe të gjykohet sipas ligjit.